Rio de Janeiro, nisin Karnavalet 2013

09/02/2013 03:30

Karnavalet e përvitshme të Brazilit kanë nisur mbrëmjen e së premtes, por paradat dhe festat në rrugë kanë një nuancë të zymtë, për shkak se këto festime vijnë pas zjarrit që shpërtheu në një klub nate, ku mbetën të vrarë 238 persona.

Ritualet e zisë vazhduan, teksa kryebashkiaku i Rio de Janeiro i dorëzoi çelësat e qytetit, figurës qendrore ceremoniale të karnavaleve, Mbretit Momo.

Presidentja Dilma Rousseff mori pjesë në një meshë përkujtimore ndaj viktimave të zjarrit, në katedralen e Brasilia-s, të enjten mbrëma. Ajo nuk do të marrë pjesë në festimet 5-ditore, por do të qëndrojë në shtetin e Bahia-s.

Më shumë se 60 viktima të zjarrit mbeten ende në spitale, ndërsa shumë qytete, veçanërisht ato pranë qytetit jugor të Santa Maria-s, ku ndodhi ngjarja, kanë ulur ritmet e festimeve.

Për Brazilin, karnavalet 2013 janë një test i rëndësishëm i infrastrukturës së qyteteve, përpara eventeve të mëdha sportive që do të zhvillohen në të ardhmen, përfshi këtu Botërorin 2014 dhe Lojërat Olimpike 2016.

Rrugët në Rio, ku festimet startuan gjatë së shtunës, ishin mbipopulluar nga mijëra persona që nga e premtja, të cilët ndiqnin disa parada spontane në rrugë.

Këtë vit, më shumë se 700 karvane do të lëshohen nëpër rrugë, në pjesë të ndryshme të qytetit, ndërkohë që pritet të marrë pjesë edhe aktorja amerikane Megan Fox, mes shumë personazheve të tjerë VIP ndërkombëtarë.

Karnavalet pritet të sjellin rreth 1,1 milionë turistë në Rio, duke gjeneruar rreth 650 milionë dollarë për ekonominë vendase. Hotelet dhe restorantet janë prenotuar tashmë, pothuajse me kapacitet të plotë.

Fenomeni koreano-jugor i Pop-it, PSY, kërcimi tipik i të cilit, në hitin “Gangnam Style”, imiton kalërimin mbi një kalë, duke mbajtur frerët e duke tjerrur një lak, nisi të performonte në festimet nëpër rrugë në qytetin e tretë më të madh të Brazilit, Salvador.

Vitin e kaluar, “Cordao da Bola Preta”, një nga festimet rrugore më të vjetra dhe më popullore të karnavaleve, tërhoqi rreth 2,2 milionë kremtues, turmën më të madhe në historinë 93-vjeçare të saj.

Nga e diela, shkollat e Samba-s do të rivalizojnë me njëra-tjetrën në paradat spektakolare në stadiumet speciale të njohura si “Sambódromo”, me karvane të dekoruara deri në detaj dhe me kërcimtarë, që veshin kostume të shumëngjyrshme, shpesh të stolisura me pupla të mëdha.

Top Channel