Aksidentet rrugore, një i vdekur, pesë të plagosur

09/02/2013 00:00

Një i vdekur dhe pesë të dëmtuar është bilanci i personave që janë
përfshirë në dy aksidente rrugore, mbrëmjen e së premtes, në Tiranë dhe
Elbasan.

Ngjarja e parë është regjistruar në kryeqytet, në autostradën Tiranë-Durrës, pranë një qendre tregtare, ku një automjet ka përplasur për vdekje një kalimtar. Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila ka nisur zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave në të cilën ndodhi aksidenti.

Ndërsa ngjarja e dytë ka ndodhur në segmentin Elbasan-Metalurgji. Nga të dhënat paraprake mësohet se dy automjete, njëri tip golf me targa El 43 37 C dhe tjetri “Opel” me targa El 31 45 C, janë përplasur më njëri-tjetrin dhe si pasojë kanë mbetur brenda në makinë dy drejtuesit e mjeteve, për shkak të përplasjes dhe janë dëmtuar tre pasagjerë. Policia dhe një mjet zjarrfikës ka punuar për nxjerrjen e të dëmtuarve. Më e rëndë situata është paraqitur për Jani Shuteriqin, i cili drejtonte mjetin tip golf dhe Altin Hasa, që drejtonte mjetin tip “Opel”.

Ndërsa pasagjerët Durim Sadushi, Goart Sina dhe Bledar Liçaj të moshave 15 deri në 30 vjeç, kanë marrë plagë të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Të dëmtuarit janë dërguar në Spitalin kirurgjik të Elbasanit, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Një grup hetimor ka mbërritur në vendin e ngjarjes për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Policia bën me dije se shkak i aksidentit paraprakisht mendohet shpejtësia e madhe dhe moti i keq.

Gazeta “Shqip”

Top Channel