Kryeministri kosovar Hashim Thaçi është shprehur optimist për normalizimin e situatës së tensionuar në veri të Kosovës.

Në një intervistë për gazetën vjeneze “Die Presse”, e cila është botuar në numrin e sotëm, Thaçi ka vlerësuar se në bisedimet me homologun serb janë arritur rezultate dhe ka shprehur bindjen e tij se së shpejti do të zgjidhet çështja e strukturave paralele.

“Në janar pata takimin e katërt me kryeministrin Daçiç. Bisedimet tona kanë qenë konstruktive dhe pozitive falë edhe ndërmjetësimit të shefes së Politikës së Jashtme të BE, e cila ka kaluar gati gjashtë orë me ne në takim. Takimi ynë i radhës është planifikuar për 22 shkurt. Aty do të flasim për shpërbërjen e strukturave paralele në veri të Kosovës. Jam optimist se do të arrijmë të normalizojmë gjendjen në veri”, ka deklaruar Thaçi.

Ai është shprehur gjithashtu optimist edhe për pranimin e shpejtë të Kosovës në OKB. “Ne jemi njohur nga rreth 100 shtete në të botës, mes të cilave janë dhe vendet me të fuqishme botërore. Kosova do të bëhet një shtet i respektuar dhe krenar, anëtar i OKB-së, NATO-s dhe BE-së”, ka thënë Thaçi, i cili ka pranuar vështirësitë që janë në këtë drejtim.

“Ka vështirësi në Këshillin e Sigurimit para së gjithash nga Rusia. Mirëpo, tashmë ne kemi filluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe me këtë zvogëlohen arsyet e Rusisë që të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Pavarësia e Kosovës është një histori suksesi, sepse ajo ka stabilizuar rajonin”, ka pohuar Thaçi.

Top Channel