SHBA, veri-lindja përgatitet sërish për stuhi

08/02/2013 05:00

Veri-lindja e Shteteve të Bashkuara rrezikohen nga një stuhi e madhe dëbore, e cila ka shkaktuar anulimin e qindra fluturimeve deri më tani.

Stuhia pritet të shkaktojë gjatë së premtes dëme në linjat e energjisë elektrike dhe kaos në transport, teksa i drejtohet veriut të Chicago-s, duke sjellë erëra të fuqishme nga pjesë të New England.

Ajo pritet të kulmojë gjatë mëngjesit të së shtunës, në lindje të Cape Cod, Massachusetts.

Shkollat janë mbyllur në Boston, ku erërat e forta pritet të sjellin stuhi të dendura dëbore, që mund të arrijnë edhe 60 cm në disa zona.

Shërbimi Kombëtar i Motit bëri të ditur se kombinimi i dy sistemeve të motit, nga rrjedhat polare dhe subtropikale, mund të shkaktojnë një stuhi “potencialisht historike”, ndërkohë që paralajmërimet për përkeqësimin e motit janë zgjeruar edhe nga New Jersey në Maine.

Erërat, deri në 55 km/h, me forcë të konsiderueshme uragani priten të krijojnë shtëllunga të thella. Kompanitë ajrore kanë anuluar me qindra fluturime perrëth rajonit.

Në Boston, kryebashkiaku Thomas Menino, u kërkoi bizneseve të marrin në konsideratë lënien e punonjësve në shtëpi, për të reduktuar rrezikun e bllokimit të udhëtarëve.

“Ne jemi të guximshëm, më lejoni t’jua them këtë gjë, pasi ia vlen të përmendet në raste stuhish si këto”, tha Menino. “Por, dua t’u kujtoj të gjithëve të shkojnë pas një sensi të përbashkët, duke qëndruar larg rrugëve të qytetit tonë. Mundësisht, qëndroni në shtëpi”.

Në New York, ku janë të freskëta kujtimet e uraganit Sandy në tetor, porti i famshëm i Staten Island ka reduktuar udhëtimet. Ndërkohë, shkollat mbeten të hapura për momentin, por qytetarët janë këshilluar të përgatiten për më të keqen.

“Për shkak të shkëputjes së mundshme të energjisë dhe vështirësive në transport, nju-jorkezët këshillohen të ruajnë rezerva të mjaftueshme, përfshi ato mjekësore”, tha kryebashkiaku Michael Bloomberg.

Ai shtoi se pastrueset e borës dhe 250 mijë tonë kripë janë gati tashmë për t’u përdorur, teksa parashikohet rreth 30 cm borë.

Top Channel