Qytetarë të shumtë të organizuar nëpërmjet rrjetit social “Facebook” protestuan mesditën e së enjtes para ndërtesës kryesore të Koorporatës Energjetike të Kosovës. Në shenjë revolte ata kanë kundërshtuar faturat e energjisë elektrike të muajit janar që sipas tyre janë fryrë.

Qytetarët me fatura në duar ankohen se muajin janar faturat erdhën shumë më të shtrenjta se sa për muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Pas gjysmë ore disa nga prijësit e protestës kërkuan që ajo të përfundojë e qetë, por disa prej tyre nuk donin të largoheshin pa kontaktuar me zyrtarët e KEK-ut.

Edhe pse kjo nuk ndodhi protestuesit në fund u larguan të qetë, ndërsa u paralajmëruan se do të ketë edhe protesta edhe gjatë ditëve të ardhshme, derisa të rishikohen faturat e shpenzimit të energjisë elektrike.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala sqaron se leximi i orëve për muajin dhjetor është bërë disa ditë para vitit të ri, dhe kjo ka bërë që përiudha e leximit për muajin dhjetor të jetë më e shkurtër se ajo për muajin janar.

Ky është një element që ka bërë që faturat e muajit janar të jenë më të larta se ato të muajit dhjetor edhe në rastet kur ka pasur shpenzim të njëjtë. Buzhala thotë se numri i ankesave të pranuara deri më tani nëpër zyret e kësaj koorporate është i ulët.

Top Channel