Fshati refuzon shpërnguljen, ndërtimet i rrethojnë me lumë

08/02/2013 00:00

Prej dy dekadash Kina është duke ndryshuar radikalisht, nga një vend komunist e tradicional, në një treg të hapur ekonomik dhe si në shumë fusha të tjera, rritje pësoi edhe sektori i ndërtimit.

Por hera-herës ndërtimet në zona të caktuara ndeshin në rezistencën e banorëve lokalë që nuk duan të humbin shtëpitë e tyre, ose që nuk janë dakort me shpërblimin e dhënë nga autoritetet apo kompanitë ndërtuese për të liruar truallin për pallate.

Në të shumtën e rasteve këto konflikte zgjidhen me marrëveshje, në të tjera përdoret forca, por rasti që do ju sjellim është tepër i rrallë ku ndërtuesit janë treguar tepër origjinalë për të dëbuar nga shtëpitë disa dhjetra banorë kokëfortë të një fshati 900-vjeçar në Yangji në provincën Guangdong.

Të lodhur pas refuzimit të të gjitha ofertave të bëra për fshatarët, ndërtuesit vendosën të rrethojnë me “lumë” banesat e fshatarëve duke u prerë atyre komunikimin, elektricitetin dhe ujin e pijshëm.

Megjithatë, banorët u shprehën të vendosur për të mos lëvizur nga banesat e tyre, të paktën jo pa rritur ofertën e kompensimit kompania ndërtuese. “Ata ndërtojnë lumenj, ne ndërtojmë ura”, thanë banorët.

Top Channel