Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka përsëritur se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, por nga ana tjetër ka vlerësuar se problemi i institucioneve paralele në veri duhet të zgjidhet.

Në një intervistë për “REL”, Daçiç ka thënë se i gjithë faktori ndërkombëtar, përfshirë SHBA dhe BE, dëshiron që të vazhdojë dialogu Prishtinë-Beograd.

Daçiç, i cili po qëndron këto ditë për një vizitë zyrtare në Uashington, ka vlerësuar se nga proçesi i bisedimeve nuk duhet të priten ndryshime spektakolare.

“Është e qartë që ne nuk do ta njohim kurrë Kosovën, por nga ana tjetër po punojmë që situata atje të normalizohet në atë formë që ne të mos e njohim pavarësinë. Gjithashtu, ne duam të gjejmë një zgjidhje edhe për çështjen e strukturave paralele”, ka thënë Daçiç.

Ai ka shtuar se dëshira e tij, ashtu si e SHBA-së dhe BE-së, është që marrëveshjet e arritura në Bruksel të zbatohen edhe në terren.

Një ditë më parë, duke komentuar takimin Jahjaga-Nikoliç, Daçiç u shpreh se takimi ishte një hap përpara dhe pjesë e rëndësishme e tërë proçesit të bisedimeve.

“Ne kemi një politikë të përbashkët, e cila para së gjithash bazohet në mbrojtjen e interesave tona kombëtare dhe shtetërorë përmes dialogut”, tha Daçiç për mediat serbe.

Ai saktësoi se dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë në datat 19 dhe 20 shkurt, kur do të bisedohet për tema jetike.

“Temë e dialogut do të jenë ato që ata quajnë institucione paralele, apo struktura paralele në veri”, u shpreh Daçiç.

Top Channel