Bruksel, nisi samiti i BE

08/02/2013 01:35

Në Bruksel nisi punimet Këshilli Europian për buxhetin e ardhshëm 7-vjeçar të Unionit. Në bisedimet dy ditore mes 27 vendeve anëtare, beteja kryesore parashikohet mes francezit Hollande, në mbrojtje të rritjes ekonomike dhe punësimit, dhe britanikut Cameron, që kërkon shkurtime të buxhetit europian, njësoj si në ato kombëtare.

“Franca është gjithnjë e ndërgjegjshme se duhet kursyer, por në të njëjtën kohë nuk duhet të dobësojmë ekonominë. Pra unë vij këtu për një marrëveshje, por të shohim nëse është e mundshme. Nëse ka nga ata, që nuk janë të arsyeshëm, do të përpiqem të arsyetoj me ta, por deri në një kufi të caktuar”, tha François Hollande, president i Francës.

“Kur ne u mblodhëm këtu në nëntor, shifrat që na u paraqitën ishin shumë më të larta. Duhet që të reduktohen, përndryshe s’ka marrëveshje”, tha David Cameron, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.

“Ne mblidhemi sot dhe nesër për të arritur një marrëveshje për Kuadrin Shumëvjeçar Financiar (MFF), e më pas për t’i bërë një propozim Parlamentit Europian. Nuk është ende e sigurt, nëse kjo do të ndodhë, pasi ka ende qëndrime të ndryshme. Nga këndvështrimi i Gjermanisë, unë them se duhet të bëjmë gjithçka për të arritur një marrëveshje”, tha Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë.

Nëse arrihet një marrëveshje, nga 27 vendet anëtare, për angazhimin aktual prej 890 miliardë euro për vitet 2014-2020, vendimi rrezikon të hasë kundërshtinë e Parlamentin Europian, i cili ka të drejtën e votës për buxhetin e BE-së, dhe ku shumica është e pakënaqur me deçifitin prej 86 miliardë euro, nga propozimi fillestar.

Përgatiti: Ernest BUNGURI

Top Channel