BE, arrihet marrëveshje për buxhetin

08/02/2013 17:40

Liderat e vendeve të Bashkimit Europian arritën një marrëveshje për buxhetin e vitit 2014-20, pas bisedimesh maratonë në Bruksel.

Gjetja e kompromisit u lajmërua nga presidenti i Këshillit Europian, Herman van Rompuy, i cili theksoi se “ia vlente të prisje” për këtë përfundim.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, i cili më parë kishte këmbëngulur për ngrirjen e përkohshme të buxhetit, e cilësoi atë si “një marrëveshje të mirë për Britaninë”.

Buxheti i ri i periudhës 2014-20 llogaritet në 908 miliardë euro, nga një trilion që kishte qenë në 6-vjeçarin paraardhës.

Kjo është hera e parë që Bashkimi Europian redukton fondin e tij për investimet e ardhshmeqë prej krijimit të buxhetit të përbashkët.

Arritja e marrëveshjes u parapri nga disa muaj negociatash të vështira pa asnjë kompromis, për shkak të qëndrimit të ndryshëm të disa vendeve të europiane.

Shtete të ndryshme ndanin vizione të ndryshme mbi madhësinë e fondit dhe mënyrën se si do të përdorej ai. Britania e Madhe, Holanda, Danimarka dhe Suedia ishin bashkuar në propozimin e reduktimit të buxhetit për bujqësinë, por Franca, e cila është përfituesja kryesore e fondeve në këtë sektor, kundërshtoi projektin.

Nga ana e tyre, Italia dhe Danimarka protestuan me argumentin se kontributi i tyre për buxhetin e BE-së ishte tepër i lartë.

Gjermania këmbëngulte se buxheti duhet të pësonte rritje, ndërsa Britania këshillonte se ai duhej të ngrihet përkohësisht.

Përballë këtyre qëndrimeve të anasjelltave, duket se një marrëveshja u bë e mundur duke pranuar një zgjidhje të mesme, atë të financimit në një shkallë më të ulët të projekteve të BE-së, ndikuar nga vështirësitë që po përjetojnë vendet e kontinentit prej krizës së Euros.

Buxheti i ardhshëm i BE-së arrin një shumë të përgjithshme sa 1% i Prodhimi i Brendshëm Bruto i 27 shteteve pjesë e unionit së bashku.

Top Channel