21 janari, Prokuroria drejt Apelit

08/02/2013 17:45

Prokuroria e Tiranës ka vendosur t’i drejtohet Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Faktit për tre pafajësitë në çështjen e 21 janarit, veprim i cili pritet të kryhet brenda datës 17 shkurt.

I kontaktuar në telefon nga Top Channel, një burim i prokurorisë së kryeqytetit pohoi se apelimi do të kryhet, referuar dispozitivit që lexuan gjyqtarët në sallë, me qëllim për të kapur afatet e ankimimit.

Ndërkohë, pas ketij “formaliteti”, ankimimi i plotë do të bëhet i argumentuar pas zbardhjes së vendimit, saktësoi burimi në kushte anonimati.

Ndërkohë, i komunikuar nga Top Channel, zëdhënësi i prokurorisë Albi Seriani deklaroi se Prokuroria e Përgjithshme i qëndron verisonit të një dite më parë në të cilin thuhet se do të pritet derisa të arsyetohet ky vendim e më tej prokuroria do vendosë së çafrë do të bëjë.

Në mesditë, pothuajse 24 orë pas shpalljes së tre pafajësive për ish-komandantin e Gardës, gjeneral Ndrea Prendi dhe oficerët Agim Llupo e Margarit Kume, prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla takoi presidentin Bujar Nishani.

Për takimin nuk ka ende një version zyrtar se për çfarë arsyesh u zhvillua, megjithëse një ndër temat e tij mund të ketë qenë edhe verdikti i Shkallës së Parë për 21 janarin.

Të pafajshëm për 21 Janarin

Në pak minuta Gjykata Penale shpalli të enjten vendimin që i dha pafajësinë ish-shefit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe oficerët Agim Llupo e Margarit Kume, pasi akuza e vrasjes me dashje në rrethana cilësuese, sipas trupës gjyqësore, nuk u arrit të provohej nga prokuroria.

Gjyqtari Besnik Hoxha deklaroi në sallë se nuk mundet të ngrejë një akuzë të re, për aq kohë sa për të nuk është hetuar nga prokuroria. Vendimi i tre pafajësive u prit me duartrokitje.

Një ndër pikat e referimit që u shpallën në dispozitiv ishte edhe vendimi i Strasurgut për pafajësine e një polici italian, i cili vrau një protestues në Xhenova në vitin 2001, në protestat kundër takimit të G8-ës.

Trupa gjyqësore me gjyqtarë Besnik Hoxhën, Ardiana Beren dhe Arjana Cacon e rrëzuan akuzën e Prokurorisë për vrasjen e Aleks Nikës, Faik Myrtajt, Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës, si qartësisht të paprovuar se ka ndodhur me dashje, ndërsa Garda atë dite, sipas gjykatës, ka kryer mbrojtjen e institucioneve.

Menjëherë pasi trupa gjyqësore u largua, salla e gjykatës u kthye në një vend takimi mes oficerëve të Gardës dhe ish-eprorit të tyre, gjeneralit Ndrea Prendi. Proçesi u ndoq në heshtje edhe nga një përfaqësues i ambasadës amerikane

Top Channel