SHBA zgjeron sanksionet ndaj Iranit

07/02/2013 05:00

SHBA ka ashpërsuar sanksionet ekzistuese ndaj Iranit, në përpjekje për të nxitur Teheranin të braktisë programin e saj të armëve bërthamore.

Masat e reja kufizojnë aksesin e Iranit në të ardhurat vetiake nga nafta, por përfshijnë gjithashtu edhe kufizime financiare ndaj medias shtetërore të Iranit.

Sanksionet marrin efekt pas kalimit të një ligji në Kongres, rreth 6 muaj më parë.

Bisedime ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Iranit do të mbahen më vonë gjatë këtij muaji.

Të ardhurat, që do të sigurojë tashmë Irani nga shitja e naftës drejt 9 blerësve potencialë, përfshi këtu Kinën, Indinë dhe Turqinë, do të kreditohen në një llogari bankare në këto vende, duke mos u riatdhesuar në Iran.

Nën këto sanksione, paratë mund të përdoren nga Irani vetëm për blerjen e të mirave nga këto vende.

Institucionet financiare, që kryejnë marrëdhënie biznesi me Iranin, e dinë se rrezikojnë të ndëshkohen nga sistemi financiar amerikan, nëse thyejnë ndonjë nga këto rregulla strikte të reja.

Thesari i shtetit amerikan bëri të ditur se sanksionet e reja kanë bllokuar efektivisht të ardhurat iraniane nga nafta përtej detit.

Thesari, i cili drejtohet nga sekretari David Cohen, bëri të ditur se SHBA do të vazhdojë të forcojë kufizimet “për sa kohë që Irani do të vazhdojë të mos zgjidhë shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar, në lidhje me programin e tij nuklear”.

Top Channel