Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Europian kaloi njëra pas tjetrës
rezolutat për Serbinë dhe Kosovën. Ndërsa eurodeputët vunë theksin për
nisjen e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, konkretisht përpara
samitit të qershorit, në rezolutën për Kosovën kërkohet një horizont i
ri për integrimin e vendit në BE.

“Më e rëndësishme është ajo që ata po bëjnë, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në dialogun me Kosovën, ata po e kthejnë veten sërish në hartë, si lokomotivë e proçesit të anëtarësimit të Ballkanit në BE. Deri më tani, Serbia ishte gjithnjë problem e tani po kthehet në një zgjidhje, në një motorr të anëtarësimit në BE, ndaj dhe meritojnë një datë”, tha Jelko Kacin, raportues për Serbinë në PE.

“Për të tretën herë inkurajoj dhe nxis në raportin tim, që 5 vendet anëtare të njohin Pavarësinë dhe do jap shembull konkret. Kosova nuk është pjesë e Europol dhe Interpol dhe të gjithë kërkojnë, sidomos ata që nuk e njohin, që të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Si mund të bëhet kjo, kur autoritetet kosovare, që duan të luftojnë korrupsionin dhe krimin, nuk janë pjesë e Europolit dhe Interpolit?”, tha Ulrike Lunaçek, raportuese për Kosovën në PE.

Me 42 vota pro, 9 kundër dhe 12 abstenime, Komiteti i Jashtëm miratoi me disa ndryshime raportin e Lunaçek për Kosovën, ku vendit i kërkohen reforma të shpejta në kapacitetet administrative, sundimin e ligjit, mbrojtjen e minoriteteve dhe në tregti, për të lejuar nisjen e bisedimeve me BE-në për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Për veriun, pasi bëhet thirrje për pajtim, Komiteti i Jashtëm thekson se “ndarja e Kosovës nuk është opsion”.

“Ajo që duhet të ndodhë është që, strukturat paralele policore e gjyqësore në veri duhet të tërhiqen dhe të kujdesen autoritetet kosovare për këtë dhe sigurisht që mund të jenë serb të Kosovës që mund ta bëjnë, pasi ka serb që punojnë për policinë e Kosovës, jo në veri, por kjo mund të zgjerohet”, tha Ulrike Lunaçek.

“Ata kanë nisur t’i trajtojnë këto çështje të ndjeshme në raundin e 4-t të dialogut, e për këtë arsye i 5-ti do të jetë më kërkues, por nuk do të ishte e ndershme të debatonim publikisht tani mbi këtë, përpara se dy kryeministrat të zbulojnë progresin e tyre”, tha Jelko Kacin.

Rezoluta për Serbinë u miratua me 59 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenime. Në të, eurodeputetët nxisin vazhdimin e dialogut në nivele të larta me Kosovën, i kërkojnë Serbisë çmontimin e institucioneve paralele në veri dhe cilësi për reformën në gjyqësor dhe në luftën ndaj korrupsionit. Beogradit i kërkohet gjithashtu, që minoritetet etnike dhe kulturore të përfaqësohen në mënyrë të drejtë në institucionet e vendit.

Pas miratimit nga Komiteti i Jashtëm, dy rezolutat pritet të votohen në mes të marsit në seancën plenare të Parlamentit Europian.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel