Kuvendi i Kosovës nuk ka mundur të vazhdojë seancën e ndërprerë javën e kaluar, në të cilën pika e vetme e rendit të ditës ishte votimi për një anëtar të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Sipas raportimeve të “RTK”, opozita i kundërshtoi tre propozimet e miratuara më herët nga komisioni parlamentar për buxhetin dhe financat, duke i quajtur ato politike.

Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së, që në fillim të seancës paralajmëroi se deputetët e kësaj partie nuk do të merrnin pjesë në votim. Njësoj u shprehën edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes dhe të AAK-së.

Ndërkaq, pas një pushimi prej dhjetë minutash, Beqiri i paraqiti drejtuesve të Kuvendit një propozim në emër të LDK-së, Vetëvendosjes dhe AAK-së.

“Seanca të marrë vendimin që këto propozime të ardhura t’i kthehen komisionit dhe komisioni të kërkojë nga BQK-ja që të përsëritet konkursi, sepse për ne këta kandidatë janë të papranueshëm”, tha Beqiri.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, njëherësh kryetare e komisionit parlamentar, tha se nuk ka arsye që të kthehen propozimet.

“Kandidatët nuk janë të politizuar, prandaj mos ta politizojmë çështjen edhe në Kuvend. Ne nuk kemi arsye ta kthejmë”, tha Hadërgjonaj.

Mocioni i opozitës, e cila akuzon qeverinë se kërkon të kontrollojë institucionet, nuk mori votat e nevojshme për ta kthyer çështjen dhe si reagim ajo bojkotoi seancën.

Top Channel