Hamas dhe Fatah, bisedime për bashkim

07/02/2013 04:40

Lideri i Hamas-it, Khaled Meshaal, ka thënë për BBC se është në bisedime e sipër me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, në lidhje me formimin e një qeverie të bashkimit kombëtar.

Meshaal tha gjithashtu se përpjekjet janë duke u bërë për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Çarja mes grupit militant dhe partisë Fatah të Abbas çoi në shtyrjen e zgjedhjeve palestineze për disa vite radhazi.

Hamas kontrollon Gaza-n, ndërsa Fatah mbetet dominuese në West Bank.

Në maj 2011, dy fraksionet palestineze nënshkruan një marrëveshje pajtimi, por deri tani nuk është implementuar aspak.

Gjithsesi, gjatë muajve të fundit ka patur shenja për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy palëve.

“Ne po ecim përpara drejt pajtimit”, tha Meshaal për BBC. “Po konsultohemi në lidhje me formimin e një qeverie me akord kombëtar. Përgatitjet për zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe ato të Këshillit Ekzekutiv janë në vijim. Jemi duke ripërtërirë Organizatën e Çlirimit të Palestinës (PLO) dhe duke organizuar takimet për këtë deri sa të zgjidhen Këshilli Kombëtar dhe Komiteti Ekzekutiv”.

Në lidhje me Sirinë, një aleat prej shumë kohësh i Hamas-it, Meshaal tha se partia e tij është detyruar të qëndrojë larg çështjes së Damaskut, për shkak se nuk pajtohet me mënyrën se si po përballet presidenti Bashar al-Assad me konfliktin. Por, ai tha se presidenti Assad mbështet ende Hamas-in.

Top Channel