Alarm i kuq në Ministrinë e Financave të Greqisë për shkak të reduktimit të hyrjeve në muajin janar.

Sipas informacioneve të publikuara nga vetë dikasteri, hyrjet janë reduktuar me 7 për qind më pak nga parashikimi prej 16 për qind dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012.

“Gropa e zezë”, që sipas burimeve është ngjitur në 305 milionë euro, vjen si pasojë e rënies së të ardhurave nga TVSH-ja me 15 për qind, si efekt i rënies së xhiros së bizneseve dhe konsumeve të gazit për ngrohje.

Të dhënat e fundit vijnë pak ditë pasi ministri i Financave shprehu besimin e tij se më e keqja e krizës për vendin e tij ka kaluar. “Përfundimisht ka një grimcë shprese, një dritë në fund të tunelit”, tha Yannis Stournaras.

Pas nxitimit të reformave dhe kalimit të paketës së masave shtrënguese në fund të vitit të kaluar, Greqia siguroi një sasi të madhe parash, ndihmë nga kreditorët ndërkombëtarë.

“Mundësia që Greqia të largohet nga zona Euro, “Grexit”, është tashmë shumë e vogël. Kemi arritur të kthejmë ekonominë në normalitet, nga tregjet ka më shumë optimizëm dhe depozitat janë rikthyer sërish nëpër banka”, tha ai për BBC.

“Qeveria po paguan borxhet e saj ndaj sektorit privat, si dhe ka një ndryshim se si Europa po na sheh tani. Pra, të gjithë treguesit kryesorë janë pozitivë. Jemi në 2/3-at e rrugës drejt objektivit tonë. Kështu që njerëzit mund të shpresojmë për më mirë”, vijoi ministri.

Top Channel