
Asgjë nuk ka ndryshuar në qytetin e Fushë-Krujës dhe pse banorët ankohen
për ndotjen mjedisore, infrastrukturën rrugore, trafikun e rënduar dhe
mungesën e mbështetjes sociale nga pushteti dhe strukturat e tij.
Që në hyrje, Fushë-Kruja, qyteti që priti me madhështi në qershorin e vitit 2007 të parin president amerikan që ka vizituar Shqipërinë, shfaq një imazh të trishtë. Mbetjet inerte dhe urbane në krah të rrugës së pasistemuar për kalim këmbësorësh e plot gropa me ujë të prezantojnë me qytetin, ndërsa situata lë indiferentë bashkinë dhe mjedisorët.
Trafiku mjaft i rënduar nga kamionët që vazhdojnë të kalojnë nëpër qendrën e Fushë-Krujës drejt fabrikave të çimentos dhe guroreve të zones.
Pamjet që ofrojnë lagjet e brendshme të qytetit janë dhe më të rënda. Në lagjen “Bakushe Visha” plehrat kanë zaptuar pjesën më të madhe të rrugës, ndërsa vazhdojnë hedhjet e tyre përgjatë lumit Zezë. Edhe ndriçimi urban në këtë zonë të qytetit mungon. Dritat nuk ndizen me të rënë mbrëmja.
Përfaqësues të kategorive më të margjinalizuara të shoqërisë ndjehen të braktisur, pa punë, me fëmijë që detyrohen të braktisin shkollën dhe pa ndihmën mujore sociale nga bashkia.
Në qytet thonë se ka familje që kanë nisur të mendojnë shitjen e shtëpive dhe largimin drejt zonave të tjera me më pak ndotje dhe më shumë vëmendje në drejtim të plotësimit të interesave mbarëshoqërore nga organet e pushtetit vendor e qendror.
Top Channel