Familjaret e viktimave: Vetëgjyqësi!

07/02/2013 00:00

Të afërmit e viktimave të 21 janarit shprehen të revoltuar dhe se do kërkojnë vetëgjyqësi pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që shpalli të pafajshëm personat e akuzuar nga prokuroria për tre nga vrasjet e ndodhura gjatë protestës.

Në familjen e Hekuran Dedës në Laknas të Tiranës duket se verdikti gjykatës ka rihapur plagën e vrasjes së tij. Ja si e përshkruan nëna e Hekuranit momentin kur mësoi vendimin e gjykatës.

“Mora një plumb për së dyti. Prap u vrava. Desha drejtësi, u mërzita shumë. E pashë në televizor dhe Topallin që fliste shumë keq. Sikur t’i vrisnin djalin e saj ca do të bënte ajo?”, tha Dudije Deda.

Ndërsa Zabiti, vëllai i madh i Hekuranit, thotë se drejtësisë i është bërë presion nga kryeministri Berisha.

“Vendim është krejtësisht politik dhe mafioz. Përgjegjësi kryesor është kryeministri, pastaj vijnë me radhë të tjerët. Është një urdhëri i prerë i kryeministrit. Janë në hall edhe gjykatësit dhe prokurorët. Nuk na tremb kryeministri, nuk na tremb asnjë. Ne do të mundohemi me cdo mënyrë”, thotë Zabit Deda.

Bashkëshortja e Faik Myrtajt shprehet se do e ndjekë cështjen në rrugë ligjore. “Ata as plackitën, as vranë dhe gjërat janë fikse. Për mendimin tim vendimi i gjykatës ishte përtokë”.

Djali i saj Renato thotë se nuk priste që gjykata të jepte drejtësi për vrasjen e të atit.

“Kryeministri duhet të marrë një gjë parasysh, mirë mbuloi këtë me vendime gjykatash, por nuk ka mbuluar dicka. Me fiset e këtyre njerëzve cdo të bëjë? Sepse tradita e vjetër këtu thotë që gjaku lahet me gjak”, thotë Renato Myrtaj, djali i Faik Myrtajt.

Vëllai i Ziver Vezit, personi që u vra në trotuar përballë portës së kryeministrisë thotë se do kërkojë vetëgjyqësi.

“Më duket një gjë që s’e vlerësoj dot. Kjo na shpie të kërkojmë vetëgjykim. Do kërkojmë vetëgjykim”, deklaroi Fitim veizi, vëllai i Ziver Veizit.

I kontaktuar në telefon, babai i Aleks Nikës, thotë se gjykata ende nuk ka folur për vrasësin e djalit të tij, hetimet për të cilin vazhdojnë.

Top Channel