Buxheti i BE për 7 vitet e ardhshme

07/02/2013 01:40

Parlamenti Europian vijoi debatet në seancë plenare, në Strasburg, për buxhetin e BE-së për vitet 2014-2020. Presidenca irlandeze dhe Komisioni Europian ftuan vendet anëtare për kompromis në samitin e fundjavës.

“Ne duhet të arrijmë një marrëveshje këtë javë dhe kjo do të thotë se gjithkush duhet të bëjë kompromise. Dështimi do të rrezikonte stabilitetin e Unionit pasi do të sillte pasiguri të rëndësishme e të panevojshme në planifikimet për të ardhmen”, tha Lucinda Creighton, ministre për çështjet europiane, Presidenca irlandeze e BE.

“Sot i bëj thirrje të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive, të kapërcejnë dallimet dhe të vijnë në Bruksel në një frymë kompromisi dhe përgjegjësie, në mënyrë që të gjendet kjo marrëveshje politike”, u shpreh Jose Manuel Barroso, president i Komisionit Europian.

Për grupet kryesore politike të PE-së, propozimi aktual është i papranueshëm, pasi paraqet që në nisje një defiçit prej 86 miliardë eurosh, që i mungojnë buxhetit total prej 890 miliardë që propozohet.

“Është e qartë se ne nuk do të pranojmë kurrë një buxhet me masa shtrënguese për 7 vjet. Përndryshe do të na duhet të pranojmë se, në të vërtetë, kriza do të zgjasë pafundësisht. Nuk mendoj se vendet anëtare janë pesimiste deri në këtë pikë”, tha Joseph Daul, kryetar i PPE në PE, eurodeputet francez.

“Jo gjithkush në Britani ndan vizionin e Cameron. Akademia britanike na dërgon një letër ku thotë: ‘Ju lutemi, luftoni për buxhetin, për shkencën dhe inovacionin, për të cilat kemi nevojë edhe në Britaninë e Madhe’,” tha Hannes Swoboda, kryetar i S&D në PE, eurodeputet austriak.

Një ditë para samitit, presidenti i Parlamentit, Martin Schulz, deklaroi se nuk do të firmosë asnjë buxhet, që nuk mbulon të paktën 16 miliardë euro defiçit për fondet e buxhetit të kaluar të vitit 2012. Parlamenti Europian ndan të drejtën e votës me Këshillin, për buxhetin e BE-së.

Përgatiti: Ernest BUNGURI

Top Channel