Bërthamoret, i dërguari i Penianit në Kinë

07/02/2013 09:55

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ka dërguar një nga zyrtarët e tij në Kinë, bëjnë të ditur mediat aziatike.

Vizita bëhet në një moment kur përpjekjet e SHBA për të dekurajuar testet bërthamore të Penianit janë në kulmin e tyre.

“Një zyrtar i profilit të lartë ka mbërritur në Pekin”, shkruan në numrin e sotëm të saj e përditshmja “Joong Ang Ilbo”, që citon një burim në kushte anonime.

Koreja e Veriut ka kërcënuar se do të mbajë testin e tretë bërthamor, pavarësisht apelit të komunitetit ndërkombëtar, si përgjigje ndaj sanksioneve të OKB-së për raketën-satelit të lëshuar më 12 dhjetor.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut paralajmëruan dy ditë më parë Penianin për “pasoja të mëtejshme” nëse kryen një test të tretë bërthamor.

Presidenti në ikje i Seulit, Lee Myung Bak deklaroi se Peniani mund të jetë duke planifikuar “teste të shumëfishta në dy lokacione ose më shumë”.

Peniani nuk ka dhënë një kohë të saktë se kur do të kryejë testin, por analistët thonë se pamjet satelitore tregojnë se përgatitjet në impiantin Pangi-ri pothuajse kanë përfunduar.

Në një telefonatë të zhvilluar të hënën, sekretari i ri i Shtetit, John Kerry dhe homologu koreano-jugor Kim Sung Hwan ranë dakord se, “nëse Veriu vazhdon me sjelljen provokuese dhe kryen hapa të mëtejshëm, atëherë duket të ketë pasoja të mëtejshme”.

Top Channel