Arrestohet baroni kolumbian i drogës

07/02/2013 14:30

Policia peruane ka arrestuar Jacinto Nicolas Fuentes German, që dyshohet se është lideri i organizatës kriminale Urabenos në Kolumbi.

Oficerët peruanë vunë në pranga Fuentes në qytetin e Limës, përmes një operacioni në bashkëpunim me kolegët kolumbianë.

Shefi i policisë së Perusë, gjenerali Raul Salazar deklaroi se trafikanti, i njohur ndryshe si Don Leo, kishte hyrë ilegalisht në peru muajin e kaluar.

Banda Urabenos kontrollon shumicën e trafikut të drogës në veri të Kolumbisë dhe ka shumë ish-paraushtarakë në radhët e saj.

Sipas autoriteteve kolumbiane, Fuentes mori kontrollin e një pjese të organizatës pas arrestimit të bosit Henry de Jesus Lopez vitin e kaluar në Argjentinë.

Mediat kolumbiane raportojnë se Fuentes ka qenë në burg edhe në vitin 2008 pasi u arrestua bashkë me një grup të armatosur, por u lirua pas një kohe të shkurtër.

Disa organizata paraushtarake në Kolumbi kanë hequr dorë nga lufta duke u shkrirë me kartelet e drogës dhe duke u kthyer në një nga kërcënimet më serioze për sigurinë e shtetit latin.

Top Channel