Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy ka pritur të mërkurën në një takim presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, të cilës i ka shprehur mbështetjen e tij për dialogun me Serbinë dhe për të ardhmen evropiane të vendit.

“Dialogu është në funksion të frymës evropiane për të tejkaluar problemet e së kaluarës dhe për t’iu ofruar perspektivë të gjithë qytetarëve”, ka thënë Van Rompuy.

Sipas një komunikate të presidencës kosovare, presidenti i Unionit ka thënë gjithashtu se, për të gjitha vendet e rajonit perspektiva evropiane është e qartë dhe e hapur, por ka theksuar se ato duhet të punojnë për të ndërtuar ura të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Nga ana e saj, zonja Jahjaga ka shprehur angazhimin e Prishtinës zyrtare për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke vënë në dukje se edhe takimi me homologun Nikoliç ka këtë qëllim.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA po zhvillohet për normalizimin e marrëdhënieve dhe për lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve”, ka thënë Jahjaga.

Ndërkohë, takimi është mbështetur edhe nga shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, e cila e ka vlerësuar atë si shumë të rëndësishëm.

Sipas zëdhënëses së saj Maja Koçijançiç, Ashton do të zhvillojë fillimisht takime të ndara me dy presidentët dhe më pas një takim të përbashkët.

“Takimi ndodh në kontekstin e përmirësimit të marrëdhënieve, kjo do jetë tema kryesore. Për ne është i rëndësishëm takimi, sepse ai ka një domethënie simbolike”, ka thënë Koçijançiç.

Më vonë presidentja Jahjaga është takuar edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen, i cili ka vlerësuar përmirësimin që Kosova ka bërë në fushën e sigurisë, duke shprehur përkushtimin e NATO-s ndaj Kosovës.

Ai tha se forcat e KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë si garantuese të paqes dhe stabilitetit dhe ofrimin e asistencës në trajnimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjithashtu, Jahjaga ka marrë mbështetje edhe nga zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, me të cilin ka zhvilluar një takim kokë më kokë.

Top Channel