Tërmeti, alarm për tsunam në Japoni

06/02/2013 06:00

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8 ka goditur Ishujt Solomon në
oqeanin Paqësor, duke shkaktuar një tsunami “shkatërrues”. Tërmeti
ndodhi në thellësinë e 5,8 km pranë ishujve Santa Cruz, pjesë e shtetit
të Ishujve Solomon, bëri të ditur Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Raportimet e para flasin për 4 të vdekur dhe 2 të humbur, ndërkohe me
dhjetra shtëpi janë shkatërruar. Sipas sekretarit për shtyp të
kryeministrit të Ishujve Solomon, Robert Iroga, dallgët në perëndim të
Lata-s kanë depërtuar 500 metra në tokë, duke shkatërruar tërësisht 3
fshatra.

Një paralajmërim për tsunami është lëshuar në ishujt e Paqësorit jugor, nga Qendra e Kujdesit ndaj Tsunameve në Paqësor, që njoftoi se tsunami mund të jetë tepër shkatërrimtar pranë epiqendrës së tërmetit.

“Niveli i valëve detare tregojnë se është gjeneruar një tsunami”, tha qendra me bazë në Hawaii. “Ai mund të jetë shkatërrimtar përgjatë brigjeve, që ndodhen pranë epiqendrës së tërmetit dhe mund të përbëjë rrezik edhe për brigjet më të largëta”.

Paralajmërimi u dha për Ishujt Solomon, Japoninë, Vanuatu, Nauru, Papua New Guinea, Tuvalu, New Caledonia, Kosrae, Fiji, Kiribati dhe ishujt Wallis e Futuna.

Masa paraprake për tsunami duhet të marrin edhe vendet e Paqësorit jugor, përfshi këtu Australinë, Zelandën e Re dhe Indonezinë.

Gjithsesi, Byroja Australiane e Meteorologjisë, tha më vonë se Australia nuk rrezikohej nga tsunami.

Tërmeti goditi rreth orës 02:12, ndërkohë që edhe Franca lëshoi një paralajmërim për tsunami për territoret e saj në New Caledonia, duke thënë se dallgët mund të godasin rreth orës 04:00.

Rezidentët pranë brigjeve janë këshilluar të evakuohen.

Qendra e paralajmërimit të tsunameve ka thënë se një valë e përmasave 0,91 m ka goditur Lata Wharf në ishujt Santa Cruz.

Ishujt Solomon formojnë pjesë të Unazës së Zjarrtë, një zonë e harqeve vullkanike dhe trashesë oqeanike, që përmbyllin pellgun e Paqësorit.

Tërmeti i magnitudës 8 u pasua nga disa lëkundje të tjera, më e madhja prej të cilave e magnitudës 6,4.

Rajoni ka kaluar një seri tërmetesh më të vogla gjatë ditëve të fundit. Në 2007, një tërmet i magnitudës 8,1 shkaktoi një tsunami, që vrau të paktën 52 persona në Solomon, si dhe la me mijëra të pastrehë.

Top Channel