Obama, për herë të parë drejt Izraelit

06/02/2013 00:30

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, do të vizitojë Izraelin, West Bank dhe Jordaninë në pranverë, bën të ditur Shtëpia e Bardhë.

Ky do të jetë udhëtimi i parë i Obama-s në këto pjesë të rajonit të Lindjes së Mesme, si president i Amerikës.

Vizita është diskutuar gjatë telefonatës së tij me kryeministrin Benjamin Netanyahu në janar, kur Obama uroi liderin e Izraelit për rizgjedhjen e tij.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë detaje mbi këtë tur, por rrjeti izraelit “Channel 10” bën të ditur se takimi është lënë për më 20 mars.

“Fillimi i mandatit të dytë si president për Obama-n dhe formimi i qeverisë së re të Izraelit ofrojnë mundësinë për të rikonfirmuar lidhjet e thella dhe jetëgjata midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit”, tha zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Tommy Vietor.

Ai shtoi se udhëtimi shënon një mundësi “për të diskutuar mënyrën se si të vazhdohet më tej për cështje me interes të përbashkët, përfshi Iranin dhe Sirinë”.

Sekretari për Shtyp i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha gjithashtu se Obama do të punojë ngushtë edhe me zyrtarë nga Autoriteti Palestinez dhe Jordaninë, në lidhje me cështjet rajonale.

Vizita e fundit e Obama-s në Izrael dhe Jordani ka qenë në 2008, kur ishte kandidat për president. Ai është kritikuar nga disa grupe pro-izraelite, për mos kthimin e tij më herët.

Sipas korrespondentëve, udhëtimi mund të ndihmojë në uljen e shqetësimeve, duke qenë se ka qenë disi i ftohtë ndaj aleatit më të madh të Amerikës në Lindjen e Mesme.

Vendimi i Obama-s për të mos vizituar Izralin, kur ndaloi në Egjipt në fillim të mandatit të tij të parë, zhgënjeu shumë izraelitë.

Presidenti demokrat njihet për marrëdhënien e tij “të përçarë” me Netanyahu-n.

Kryeministri i Izraelit doli më i dobësuar nga zgjedhjet e vendit të tij, por mund të jetë sërish në krye të vendit, nëse arrin të formojë një qeveri koalicioni, përpara afatit limit nga mesi i marsit.

Top Channel