Marinarët e burgosur në Jemen

06/02/2013 19:50

Një nga marinarët e anijes “Eos”, ngarkuar me armë dhe që drejtohej nga një kapiten shqiptar, deklaron se anija e tyre është rrëmbyer në Jemen.

Janis Dhakaris, mekaniku i anijes pas qëndrimit njëmujor në një burg të Mukallës, në Jemen, është kthyer në shtëpinë e tij në Athinë. Ai tregon dokumentet e ngarkesës me armë që kapiteni i anijes Arif Bakillari ia ka dhënë për t’i treguar mediave.

Kapiteni, së bashku me oficerin e parë dhe kryemekanikun, që të tre shqiptarë, si dhe dy marinarë indianë ndodhen të burgosur në Jemen.

I përlotur 63-vjeçari tregon se bashkëvujatësit e tij janë mirë me shëndet, megjithë kushtet çnjerëzore ku po mbahen. Ai hedh poshtë aludimet se ngarkesa mund të ishte e paligjshme dhe tregon dokumentat zyrtare.

Sipas rrëfimit të tij, pas ngarkimit të anijes me armatim për llogari të një kompanie serbe me destinacion Irakun, anija u kontrollua dhe vulos në portin grek të Astakosë, në veri të Patras.

Në vazhdim “Eos” iu drejtua Turqisë, ku pasi u verifikua, mori sërish ngarkesë për portin e Aleksandrisë në Egjipt e në vazhdim, e shoqëruar nga anijet e NATO-s, iu drejtua Gjirit të Adenit në Jemen.

“Anijet e NATO-s na shoqëruan deri në Mombasa, në vazhdim, deri në Aden, ishim vetëm. Mbasi shkarkoi një pjesë të ngarkesës së saj, “Eos” mori sërish rrugën në drejtim të Irakut, ku dhe do të përfundonte itinerarin dhe do të kërkonte sërish ngarkesë për t’u rikthyer në Mesdhe. Gjatë rrugës, rreth datës 15 dhjetor, anija dëmtoi një piston dhe mbeti pa karburant. Pasi njoftuam kapitenerinë e portit Mukala në Jemen lidhur me defektin, si dhe detaje të tjera të udhëtimit tonë, na njoftuan të hynim në port ku dhe riparuam defektin dhe u furnizuam. Por rreth 100 policë dhe ushtarë erdhën në anije dhe pasi panë ngarkesën ikën. U rikthyen sërish të nesërmen dhe kërkuan që të hapej ngarkesa por kapiteni nuk pranoi, pasi hambarët ishin të vulosur. Dëgjova me veshët e mi që një oficer i ushtrisë së Jemenit tha se ‘kjo ngarkesë më pëlqen dhe do ta mbaj’. Jam i bindur se ata e donin ngarkesën sepse ajo kushton miliona dollarë. Një moment na zbritën nga anija dhe pa asnjë akuzë na dërguan në burg, në një qeli me 50 vetë të tjerë. Na dhanë dy dyshekë, për ushqim një qese oriz me miza. Kushtet ishin çnjerëzore. Rojet rrihnin me shkopinj dhe tuba llastiku të burgosurit. Nuk bëhet fjalë për të drejta njerëzore. Në Jemen nuk ka të drejta njerëzore”, tregon Dhakaris.

Marinari grek tregon se mundi të komunikojë me ambasadën greke në Jemen dhe me konsullatën e Irakut. Ata dërguan menjëherë ushqime, veshmbathje dhe asistuan me ndihmë. Falë ndërhyrjes së tyre, marinarët u kthyhen në anije ku mbahen të izoluar, ndërsa kapiteni shqiptar qëndron në spital.

“Unë besoj se u rrëmbyem me gjithë ngarkesën. Për fatin tim, unë munda të lirohem, por tre marinarët shqiptarë dhe dy indianët nuk kanë asnjë ndihmë tani që unë nuk jam më aty. Ambasada greke nuk mund të ndihmojë më. Ndërsa ambasada shqiptare nuk iu përgjigj asnjëherë qindra telefonatave tona”, shton Dhakaris.

Duke transmetuar thirrjen për ndihmë të marinarëve shqiptarë, kolegu i tyre grek thotë se qeveria shqiptare, presidenti dhe autoritetet duhet të angazhohen për të shpëtuar marinarët e marrë peng në Jemen sepse ata janë të pafajshëm.

Top Channel