“Kriza” iraniane, Rusia shpreson progres

06/02/2013 15:55

Rusia shpreson për një “progres real dhe të rëndësishëm”, në bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit, që do të rifillojnë në datën 26 shkurt, në Kazakistan.

Bisedimet do të zhvillohen sipas formulës së mëparshme, midis Teheranit dhe përfaqësuesve të pesë vendeve me të drejtë veto në Këshillin e Sigurimit (SHBA, Kinë, Rusi, Francë, Britani), plus Gjermania.

”Pavarësisht mosdakordësive të momentit, shpresojmë realisht që bisedimet e ardhshme do të konkretizohen, në mos me një sukses, me një progres të rëndësishëm për zgjidhjen e kësaj çështje”, shkruhej ditën e mërkurë në një deklaratë të Kremlinit.

Sipas ekspertëve ndërkombëtare, presidenti në largim, Nexhat Ahmadinejad, po luan një lojë të hollë diplomatike me fuqitë e mëdha, pasi takimi vjen pak ditë pasi Teherani u deklarua i vendosur për vazhdimin e pasurimit të uranimit.

Nga ana tjetër, pas ndërprerjes së bisedimeve në mesin e 2012-s, vendi me 75 milionë banorë është gjunjëzuar nga sanksione të ashpra financiare, mes të cilave bllokadë për eksportet e naftës dhe bllokim të të gjithë aseteve dhe transaksioneve financiare të bizneseve e shtetit iranian.

Këto masa kanë sjellë një përkeqësim drastik të nivelit të jetesës në vend, ndikuar nga një inflacion galopant dhe reduktimi i subvencioneve shtetërore për transportin, strehimin dhe edukimin, duke bërë që presioni brenda Iranit mbi Ahmadinejad të rritet.

Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj perëndimorë, Irani është duke zhvilluar një program bërthamor me qëllime ushtarake, por Teherani e ka mohuar gjithmonë këtë pretendim, duke thënë se reaktorët kanë si qëllim vetëm sigurimin e energjisë.

Zhvillimet e fundit të programit në Iran, kanë bërë që Izraeli të kërcënojë me një ndërhyrje ushtarake të njëanshme, pasi sipas Tel Avivit zyrtar, kapacitetet e mundshme bërthamore në dorë të Teheranit janë në gjendje të kërcënojnë ekzistencën e shtetit hebre.

Së fundmi, edhe ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, komunikoi shqetësimin e thellë të Parisit për krizën iraniane.

Bisedimet me formulën “5+1” ishin planifikuar të mbaheshin më parë në fund të janarit, por u shtynë me një muaj për arsye teknike.

Top Channel