Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për herë të parë pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje për një aleancë me Partinë Demokratike të Kosovës.

Të gjithë këtë, Haradinaj, i cili ka kërkuar që ai të drejtojë qeverinë në rast të një marrëveshjeje, e quan mundësi të humbur.

“Është një mundësi që nuk mundëm ta realizonim, një mundësi e pashfrytëzuar. Më vjen keq për qytetarët e vendit. Në të njëjtën kohë vazhdojmë të punojmë në funksionet që kemi, me shpresën që këtë mundësi do të na e japin qytetarët e vendit kur jemi në zgjedhje. Pra, vazhdojmë të ushtrojmë funksionet tona si subjekt politik për kohën që qytetarët e vendosin si do të vazhdojë më tutje udhëheqja e vendit”, ka deklaruar Haradinaj.

Këto komente Haradinaj i bëri pas takimit me kryetaren e Bashkisë së Burrelit, Adelina Fariqi, e cila e njoftoi atë për vendimin se është shpallur “Qytetar nderi i Burrelit”.

“Kemi nderin që ta kemi jo qytetar nderi, por qytetar nderi të qytetit të Burrelit dhe duke i dhënë edhe këtë titull, mendoj se do të shërbejë edhe si motivim për të gjithë qytetarët e Burrelit që t’i bashkëngjiten këtyre vlerave dhe t’i rrisim vlerat tona kombëtare”, tha Fariqi.

“Simbolika e kësaj ngjarjeje rritet për faktin se Burreli i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve familje mbretërore, i ka dhënë historinë tonë dhe vlerat me të cilat ne ekzistojmë dhe njihemi nga të tjerët. Duke qenë kështu është nder për mua dhe shpreh kënaqësinë që në momentin e parë të jemi bashkë në Burrel e të përjetojmë këtë nder dhe këtë ndjenjë edhe në vend”, tha nga ana e tij Haradinaj.

Kreu i AAK-së këtë titull do të shkojë ta marrë në Burrel në një ceremoni që do të organizohet enkas për të.

Top Channel