“Falklands, shumë shpejt tokë argjentinase”

06/02/2013 15:25

Ishujt Falkland do të rikthehen nën kontrollin e Buenos Airesit brenda 20 viteve të ardhshme, vlerësoi ministri i Jashtëm argjentinas, Hector Timerman.

Gjatë një vizite në Londër, ai pretendoi se “asnjë shtet i rruzullit” nuk e mbështet sovranitetin britanik të Falklands.

Në një intervistë për të përditshmet “Guardian” dhe “Independent”, Timerman vlerësoi se “Londra ka pushtuar këtë rajon, për të pasur akses në resurset natyrore të ndodhura pranë brigjeve argjentinase”.

Falklands, të njohur në spanjisht me emrin Malvinas, janë shdërruar në një “mollë sherri” mes Argjentinës dhe Britanisë, me të dy vendet që kanë në fuqi sanksione të njëanshme ekonomike ndaj njëra-tjetrës.

Në vitin 1982, Argjentina e drejtuar nga një juntë ushtarake pushtoi ishujt, por reagimi i Londrës së Thatcher ishte i ashpër, duke shpallur një luftë që riktheu Falklands, një grup ishujt me madhësinë e Kosovës, nën zotërimin britanik.

Sipas Londrës, janë banorët vendas ata që duhet të vendosin dhe në disa referendume, ata janë shprehur se duan të jenë pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

Nga ana e saj, Argjentina mbështet pretendimin e saj për këtë territor me dokumenta 2-shekullorë, sipas të cilëve, Argjentina fitoi pavarësinë nga Spanja në vitin 1810, së bashku me ishujt Malvinas, që u pushtuan në 1829-n nga Perandoria Britanike dhe u ripagëzuan me emrin Falklands.

Londra zyrtare nuk ka komentuar ende zyrtarisht mbi deklaratën e ministrit argjentinas, të ndodhur në kryeqytetin britanik në një vizitë jozyrtare.

Top Channel