“Dell computers” do të riblihet nga themeluesi Michael Dell

06/02/2013 04:55

Michael Dell ka bërë të ditur se do të riblejë prodhuesin e tretë në botë të kompjuterave, që e ka vet-themeluar kohë më parë si dhe që ruan ende emrin e tij.

Së bashku me investitorin e fuqishëm teknologjik Silver Lake, si dhe me mbështetjen financiare të Microsoft, ai do të ofrojë rreth 24,4 miliardë dollarë, për të riblerë firmën.

Kjo lëvizje do ta nxjerrë Dell-in nga bursa e Nasdaq, pas 25 vitesh.

Dell shpreson t’i rikthejë qëndrueshmërinë një firme, e cila ka hasur shumë probleme së fundi, dhe që të konkurrojë me rivalët më të lirë aziatikë, si dhe ndaj kompjuterave smartphone apo tablet.

Suksesi i Dell gjatë 29 viteve të fundit e bëri themeluesin e tij një nga njerëzit më të pasur në Amerikë.

Shefi ekzekutiv dhe pronari aktual zotëron rreth 14% të firmës. Ai dhe disa shefa të tjerë ekzekutivë do t’i ruajnë aksionet ekzistuese.

Blerja e aksioneve të mbetura do të kryhet nga një konsorcium i përbërë nga vet zoti Dell, fondi i tij i investimeve dhe Silver Lake. Ai do të financohet nga huatë e katër bankave të ndryshme, si dhe nga 2 miliardë dollarë hua prej Microsoft-it.

Top Channel