CIA, bazë sekrete në Arabinë Saudite

06/02/2013 15:25

CIA ka operuar një bazë avionësh pa pilotë nga një territor i panjohur më parë në Arabinë Saudite, zbuloi një raport i publikuar ditën e mërkurë.

Baza u krijua me qëllim që të shënjestronte anëtarët e Al-Kaedës në Jemen, fqinjin jugor të Arabisë.

Një avion pa pilot, i njohur ndryshe në anglisht si dron, vrau në shtator 2011 Anwar al-Awlakin, një myfti i lindur në SHBA, që kishte marrë një rol kyç në drejtimin e segmentit të Al-Kaedës në Jemen.

Zbulimi i kësaj baze vjen brenda pak kohe nga rrjedhja e një informacioni të klasifikuar nga zyrtat e Departmanetit të Shtetit, incident për të cilin është nisur një hetim zyrtar.

Mediat amerikane kishin informacion për ekzistencën e kësaj baze, e cila u ndërtua midis viteve 2009-11, por vendosën që të mos raportonin me kërkesë të Uashingtonit.

Zbulimi i bazës përbën një lajm veçanërisht të sikletshëm për Mbretin Abdullah, i cili është zotuar publikisht për neutralitet dhe mosndërhyrje në krizat e vendeve fqinje të rajonit.

Shtetet e Bashkuara mbajtën 5-10 mijë trupa në Arabinë Saudite që nga lufta e Gjirit, në vitin 1991, deri në 2003-shin.

Top Channel