Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Bullgari, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është takuar me homologen Cecka Çaçeva.

Në njoftimin zyrtar të Kuvendit thuhet se kryeparlamentarja bullgare konfirmoi se vendi i saj do të jetë përkrah Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

“Së fundmi u takova në Dublin me ministrin e Jashtëm të Irlandës, vend që mban presidencën e BE-së dhe i fola për progresin e bërë nga Shqipëria. Uroj që anëtarësimi i Shqipërisë në familjen europiane të jetë sa më i afërt”, citon njoftimi zyrtar kryetaren e Kuvendit të Bullgarisë.

Ndërsa Topalli tha se sot Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe në pritje të marrjes së statusit kandidat. “Presim që opozita të votojë tre ligjet e kërkuara nga Brukseli, në mënyrë që të kalojmë sa më parë në hapjen e negociatave për anëtarësim”, është shprehur në takim Kryetarja e Kuvendit.

Sipas njoftimit zyrtar, dy homologet kanë folur me tej për rritjen e mundësisë së bashkëpunimit dhe marrjes së fondeve nga BE për projekte infrastrukturore të përbashkëta.

Top Channel