Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur nga qindra qytetarë para ndërtesës së Komunës së Tetovës, ku u shpall “Qytetar Nderi” i Tetovës.

Haradinaj falënderoi qytetarët dhe autoritetet komunalë për pritjen e respektin dhe tha se në Tetovë ndjehet si në vendlindjen e tij.

“Në Tetovë, ne gjejmë gjithë këta të pranishëm, historinë tonë, rrugën e gjatë dhe të vështirë, por gjejmë edhe vendosmërinë tuaj për të shkuar gjithmon përprara. Nderimin e sotëm, me shpalljen “Qytetar Nderi”, e marr si nderim vetëm për rrugën tonë të gjatë. Ndaj, duke ju falënderuar, ju premtoj se nuk do t’ju zhgënjej asnjëherë”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Kreu i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, tha se ky çmim i jepet Haradinajt për angazhimin e tij mbi forcimin e bashkëpunimit mes shqiptarëve në rajon. Veprën e Ramush Haradinajt e vlerësoi lartë edhe kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi.

“Të gjithë frymëzohemi nga biografia e tij, krenohemi me veprën e tij dhe shfaqim konsideratën tonë më të thellë ndaj angazhimeve kombëtare dhe universale. Pikërisht për këto vlera universale, që inkorporohen në vizionin e tij, ne sot i japim titullin “Qytetar Nderi” i Tetovës”, tha Sadi Bexheti, kryetar i komunës së Tetovës.

“Nuk ka fjalë, fjali dhe periudha, që mund të përshkruajnë figurën dhe veprën e zotit Haradinaj. I nderuari z.Haradinaj, këta vëllezërit tuaj kanë sakrifikuar orë në shi, në momentet kur duhej solidarizuar me ju, dhe unë besoj se këta sot meritojnë, që juve t’ju kenë këtu dhe t’i nderoni me prezencën tuaj”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Para ceremonisë së ndarjes së këtij çmimi, Haradinaj realizoi një takim me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçin, me të cilin më pas kanë vendosur kurora me lule pranë varrit të Arbën Xhaferrit.

Disa orë para mbërritjes së Ramush Haradinajt në Tetovë, një parti e vogël maqedonase reagoi kundër nderimit të tij me titullin “Qytetar Nderi”.

Top Channel