Siri, lideri i opozitës fton Assad për negociata

05/02/2013 03:25

Lideri i opozitës siriane, Moaz al-Khatib, ka nxitur presidentin Bashar al-Assad të përgjigjet ndaj ofertës së tij për bisedime paqeje.

Khatib, i zgjedhur së fundi në krye të Koalicionit Kombëtar Sirian, i bëri thirrje Assad-it t’i japë zëvendësit të tij tagrin për të nisur negociatat. Ai tha se synimi është të ndihmohet largimi në paqe i regjimit sirian, në këmbim të gjakderdhjes së mëtejshme.

SHBA ka mbështetur iniciativën e Khatib, por nuk ka patur asnjë përgjigje deri tani nga krerët e Damaskut.

Lideri i opozitës shokoi shumë prej kolegëve të tij javën e kaluar, me ofertën për bisedime me zyrtarët e qeverisë, duke siguruar lirimin e rreth 160 mijë të burgosurve. Opozita ka insistuar në të kaluarën, që presidenti Assad të jepte dorëheqjen përpara se të nisnin bisedimet.

“I kërkova këtij regjimi që të dërgojë zëvendës-presidentin Farouq al-Sharaa, nëse ky e pranon idenë, për t’u ulur së bashku për bisedime”, tha Khatib për al-Arabiya TV. “Cështja është tashmë në duart e shtetit, të pranojë negociatat për largim me sa më pak humbje”.

Ai tha se nuk përbën “tradhëti” fakti që po kërkohet dialog për t’i dhënë fund konfliktit. Në një tjetër koment për al-Jazeera TV, ai tha: “Regjimi duhet të mbajë një qëndrim të qartë për dialogun, ndërsa ne po shtrijmë dorën në interes të popullit dhe për të ndihmuar regjimin të largohet në paqe”.

Khatib bisedoi gjatë fundjavës në Mynih me ministrin e Jashtëm të Iranit, Ali Akhbar Salehi, si dhe ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, një tjetër aleat kyç i Sirisë. Ai u takua gjithashtu me zëvendës-presidentin e SHBA-ve, Joe Biden.

Top Channel