SHBA, Standard & Poor’s paditet nga qeveria

05/02/2013 00:40

Standard & Poor’s ka bërë të ditur se është paditur nga qeveria amerikane, për shkak të vlerësimit nga agjencia të normave të kredisë për bonot hipotekore, përpara krizës financiare.

Padia civile fokusohet në vlerësimet e larta të S&P në 2007 për disa letra me vlerë, kryesisht bono hipotekore, të cilat më vonë ranë ndjeshëm në vlerë, tha agjencia. S&P thotë se kjo çështje është tërësisht pa fakte apo merita ligjore.

Padia është e para e këtij lloji, që akuzon për gabime në vlerësim nga kjo agjenci, që çoi më pas në krizë financiare. S&P tha se departamenti i drejtësisë ka informuar ata për padinë e pashmangshme civile, megjithatë agjencia federale refuzoi të komentonte.

Kjo lëvizje vjen pas një ndërprerje të bisedimeve midis departamentit të drejtësisë dhe S&P, bëjnë të ditur raportet nga Wall Street Journal. Disa shtete të tjera priten të bashkohen në këtë padi, raportojnë mediat amerikane.

Aksionet e pronarit të S&P, grupi botues dhe mediatik amerikan McGraw Hill, ranë me 14% në bursën e Wall Street të hënën, menjëherë pas publikimit të lajmit, ndërsa ato të agjencisë tjetër të vlerësimit Moody’s ranë me 10%, duke sugjeruar se tregjet parashikojnë që këta të jenë nën objektivin e radhës të departamentit të drejtësisë.

Top Channel