Nata e 3 shkurtit të vitit 2000 mbetet e paharruar për Gjyle Sokolin, banore e pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës.

Ajo rrëfen se si 2 fqinjë të saj serbë dhe 1 tjetër, që nuk e njihte, kishin hyrë në banesën e saj dhe kishin filluar ta sulmonin burrin e saj, të cilin e vranë.

Disa orë para se të ndodhte kjo ngjarje, para banesës së tyre kishte ndodhur një shpërthim, por, edhe pse kishin lajmëruar ushtarët francezë, ajo thotë se ata nuk kishin ardhur, pasi iu kishin thënë se nuk kanë qasje në atë lagje.

Zonja Sokoli mori pjesë në tribunën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në 13-vjetorin e ngjarjeve të 3 dhe 4 shkurtit, ku 10 shqiptarë ishin vrarë dhe mijëra të tjerë ishin shpërngulur nga shtëpitë e tyre.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, tha se ngjarjet e asaj kohe kanë pasoja direkte se si shihet zgjidhja e çështjes së pjesës veriore të Kosovës, duke shtuar se në rast se ajo pjesë ndahet, atëherë nuk mund të ketë funksionalitet të Kosovës.

Gjatë kësaj tribune u kritikua për neglizhencë edhe kontigjenti francez, që vepronin në kuadër të KFOR-it, ndërsa u tha se edhe 13 vite më vonë nuk është vënë drejtësia.

Gjatë kësaj tribune u kërkua nga institucionet e drejtësisë, që fajtorët të dalin para drejtësisë dhe që të ofrohet siguri për banorët e asaj pjese.

Top Channel