Që kur Alfred Peza lajmëroi largimin nga gazetaria dhe futjen në politikë, në qendër të vëmendjes u rikthye fenomeni i këtij kalimi. Parimisht hendeku duhet të jetë i madh, por ja që ndodh të kalohet lehtësisht herë pas here.
Një nga themeltarët e lëvizjes është me siguri Mitro Cela. Në fillim gazetar, më pas deputet i Partisë Demokratike e më pas sërish në armatën e njerëzve të shtypit.
Por pas tij kolegë që braktisën profesionin për politikën kanë pasuar shumë dhe kolegë që kanë mbetur ende në kthetrat e politikës.
Në periudhën kur nuk u zgjodh deputet Edi Paloka iu rikthye zanatit të vjetër duke drejtuar Agjensinë Telegrafike, por joshja e Kuvendit ishte më e madhe dhe zgjedhja e Bamir Topit president e futi sërish në formacionin e të 140-ve.
Një nga opozitarët më aktivë kohët e fundit vjen pashmangshmërisht nga radhët e gazetarëve. Erion Braçe është padyshim deputeti që dallohet më shumë nga të gjithë për background-in e tij. Aktiv në shtyp, në rrjete sociale, denoncues dhe dokumentues. Drejtuesi i Zërit të Popullit ia doli të ishte dhe deputet dhe gazetar njëkohësisht, por opozitarizmi e ka larguar disi nga shtypshkronjat.
Analogu i Erion Braçes, jo për ngjashmëri në politikëbërje, por për të përbashkëtën e drejtimit të gazetës zyrtare të partisë respektive është Astrit Patozi. Nënkryetari i Partisë Demokratike ka drejtuar për shumë kohë Rilindjen Demokratike. Tashmë deputeti i njohur me siguri ka harruar si bëhet faqosja.
Edhe LSI ka në radhët e saj gazetar. Luan Rama, i cili më shumë mbahet mend për postet e mbajtura vitet e fundit, u katapultua në politikë pikërisht nga gazetaria.
Por ka dhe gazetarë të vjetër që janë të rinj në politikë. Një i tillë është pikërisht Mark Marku. Profesori i departamentit të gazetarisë në fakultet është një nga zërat e dallueshëm në grupin parlamentar të Partisë Demokratike.
Posti i tij aktual nuk ka lidhje me profesionin e gazetarit. E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është dashuria për duhanin dhe tymosja e dendur. Po flasim për ministrin e Transporteve, Sokol Olldashin. Mbase malli për të shkruar ka ndikuar në aktivitetin e tij të dendur në faqen zyrtare të Facebook, ku duket se u përgjigjet komentuesve të shumtë.
Alfred Dalipi e Silvi Bardhi janë gjithashtu ish-kolegë gazetarë e tashmë të inkuadruar plotësisht në politikë. Kuptohet që kahet janë diametralisht të kundërta për të sipërpërmendurit.
E ngarkuar për çështjet e integrimit të Shqipërisë është pikërisht një gazetare e njohur. Ministrja Majlinda Bregu i kishte provuar dhe më herët në jetën e saj prozhektorët dhe kamerat. Duket se profesioni i saj, përveç ndihmesës që ka dhënë deri tani në karrierën e saj politike, po e ndihmon edhe me detyrën e fundit që i është ngarkuar. Znj. Bregu është personi që koordinon çdo aspekt mediatik të fushatës që “de facto” ka filluar tashmë.
Dy emrat e fundit që po përmendim nuk janë në të njëjtën llogore politike, por dikur transheja e tyre ishte e përbashkët dhe shumë madje. Nikollë Lesi dhe Ben Blushi janë larg sot, por dikur punonin bashkë. Dy njohës të vjetër të gazetarisë mund të thuhet pa frikë që janë bërë dy veteranë të politikës tashmë.
Profesionet e deputetëve shqiptarë
Ata që zgjidhen për të përfaqësuar popullin shqiptar dhe që i drejtohen Parlamentit sigurisht që kanë emëruesin e përbashkët duke qenë se bëhen me çdo të drejtë deputetë.
Por prejardhja e tyre sigurisht që nuk është e përbashkët, qoftë edhe për përkatësitë politike. Legjislatura e fundit mund të quhet një nga më të ngjyrosurat sa i takon prejardhjes profesionale që kanë 140 të zgjedhurit e Parlamentit shqiptar.
Fillimisht duhet thënë që 50% e atyre që ka mandatuar KQZ-ja janë ulur për herë të parë në karriken e deputetit megjithëse tani po i drejtohen fundit të kësaj eksperience.
Pavarësisht eksperiencës në politikë, profesionet dominuese në Parlament ngelen juristët dhe ekonomistët. Duket se këto dy faktultete prodhojnë talente natyrale të prirura për pushtet.
24 juristë dhe 18 ekonomistë nënkuptojnë 42 deputetë që fare mirë mund të bënin një pol politik jashtëzakonisht të fuqishëm pasi janë 30% e të zgjedhurve.
Në seancat plenare ulen politikanë tashmë që vijnë nga profesione të ndryshme duke filluar nga aktrimi e gazetaria, tek ekonomistët, juristët e mjekët apo agronomët e arsimtarët e deri tek ish-shefa policie e sportistë.
Profesion tjetër shumë i preferuar në Parlamentin e Shqipërisë është mjekësia. Si mund të ndodhte ndryshe kur mazhorancën e kryeson një i tillë. Në legjislaturën e 17 janë ulur plot 8, e tillë që kanë lënë pacientët vetëm, por i kurojnë nga drejtpërsëdrejti nga ekrani.
Thonë gjithmonë e më shpesh këto vitet e fundit që politika është kthyer në biznes dhe mesa duket biznesmenët e kanë marrë seriozisht. Saç ka mjekë, ka edhe biznesmenë në këtë mandat pra 8 deputetë që duhet thënë për shkak të ligjit nuk kanë më shumë të drejtë të merren me biznes.
Por kush do ta ndërtojë Shqipërinë e begatë dhe të zhvilluar? Janë pikërisht 12 deputetë që vijnë nga inxhinieria që votat i kanë çuar në Parlamentin e Shqipërisë. Më të paktët në numër duket se janë aktorët. Publikisht në këtë parlamentin tonë të diplomuar nga Akademia e Arteve janë vetëm 3 aktorë, por duhet thënë që duke i parë, ndjen se aktorë ka shumë më tepër se aq.
Ëmbëlsira për në fund, gazetarët si njohës të mirë të politikës kanë zbritur nga llozha e mediave 6 përfaqësues të profesionit. Për të shpërndarjen e re të profesioneve në Parlament nuk na ngelet të presim edhe fare pak muaj.
Top Channel