Ka përfunduar para pak minutash në Bruksel takimi mes presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, i pari që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikoliç janë takuar në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, nën ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.

Para se të takoheshin kokë më kokë, Jahjaga dhe Nikoliç zhvilluan takime të ndara me shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian.

Jahjaga: Takimi me Nikoliç konstruktiv

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka cilësuar si konstruktiv takimin me homologun serb Nikoliç, takim që sipas saj synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ishte takimi i parë në nivel presidentësh të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë, si shtete te pavarura e sovrane, të pranuara si subjekte ndërkombëtare. Takimi u zhvillua në atmosferë konstruktive dhe i dhamë mbështetje të përgjithshme normalizmit të marrëdhënieve  mes shteteve tona”, ka thënë Jahjaga për “RTK”.

“Kjo është në funksion të lehtësimit të jetës së qytetarëve tanë, në funksion të paqes dhe stabilizmit në rajon dhe rrugës drejt BE-së. I dhamë gjithashtu mbështetje proçesit të dialogut të kryeministrave që ka për qëllim gjetjen e zgjidhjeve në funksion të normalizimit”, ka vijuar ajo.

Presidentja ka thënë se takimi i kontribuon fqinjësisë së mirë dhe ka këmbënglur se për veriun e Kosovës nuk do të ketë asnjë status tjetër, veç atij që përcaktohet në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Nuk ka alternativë tjetër. Propozimi për ndonjë autonomi eventuale për veriun do të bënte që serbët nga pjesët e tjera të Kosovës të shpërnguleshin në veri”, ka thënë Jahjaga, duke shtuar se do të ketë vend edhe për takime të tjera me homologun e saj serb.

Nikoliç: Të mos insistohet për pavarësinë

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç ka reaguar pas takimit me zonjën Jahjaga, duke deklaruar se i ka thënë presidentes se dialogu nuk mund të çojë në një zgjidhje të përbashkët nëse Prishtina vazhdon të këmbëngulë për pavarësinë e Kosovës.

“I kam thënë se po që se do të këmbëngulë se Kosova është shtet i pavarur, atëherë dialogu nuk mund të lëvizë në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët, e cila do të mundësonte një jetë më të mirë dhe anëtarësim në BE”, ka thënë Nikoliç për televizionin serb B92.

Ai ka vënë në dukje se Jahjaga nga ana e saj ka insistuar me ngulm se dy shtetet e pavarura duhet të bashkëpunojnë sa më mirë dhe të harrojnë konfliktet e së kaluarës.

“Takimi si njoftim ka qenë idobishëm, por nëse nuk gjejmë tema të përbashkëta, ndaj të cilave do të kemi qëndrime të ngjashme, nuk shoh arsye për takime tjera”, është shprehur Nikoliç.

 Ai ka shtuar se takimi i sotëm nuk ka qenë i motivuar me dëshirën e Serbisë që të njohë pavarësinë e Kosovës, por me dëshirën e Sebrisë që të qetësohen gjakrat.

“Dëshira e Serbisë është paqja në Ballkan”, ka thënë Nikoliç, duke shtuar se, pa Serbinë nuk ka Kosovë të pavarur dhe as vend të Kosovës në OKB. “Gjëja e fundit në jetën time do të ishte që Kosova të niste rrugën e pavarësisë”, ka thënë më tej presidenti serb.

Ashton: Javët e ardhshme kritike

Pas takimit të parë në Bruksel, mes presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, përfaqësuesja e lartë Catherine Ashton deklaroi se procesi i dialogut ka marrë mbështetjen e duhur dhe se javët e ardhshme do të jenë kritike për zgjidhjen e çështjes së veriut.

“Pasi takimeve të ndara, unë mbajta një takim me të dy presidentët, që u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe konstruktive. Ne diskutuam mbi dialogun, që unë ndërmjetësoj mes kryeministrave Daçiç dhe Thaçi. Dialogu ka prodhuar tashmë një numër arritjesh të rëndësishme, falë angazhimit konstruktiv nga të dy palët. Ne po përballemi tani me çështjen e veriut të Kosovës dhe javët e ardhshme do të jenë kritike. Edhe presidenti Nikoliç, edhe presidentja Jahjaga më garantuan mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe angazhim ndaj dialogut, sipas axhendave të tyre respektive europiane”, tha Catherine Ashton.

Baronesha premton në fund vijimin e mbështetjes së Bashkimit Europian për perspektivën europiane të Kosovës dhe Serbisë, nëse plotësohen, ndër të tjera, detyrimet e ndërmarra në kuadër të dialogut. (Përgatiti: E.BUNGURI)

Jahjaga: Nikoliç nuk ka ndryshuar
“Ka mbetur radikal, por mbështetëm dialogun Thaçi-Daçiç”

Presidentja e Kosovës deklaroi se takimi me presidentin serb i ka dhënë një mbështetje të fuqishme dialogut të nisur mes kryeministrave Thaçi – Daçiç. Por, pas shtrëngimit të duarve në Bruksel, Atifete Jahjaga pohoi se Tomislav Nikoliç nuk ka ndryshuar.

“Fatkeqësisht, presidenti serb ka mbetur në opsionet e vjetra radikale nacionaliste serbe, që i kanë sjellë dëme të dhimbshme e të mëdha jo vetëm shtetit tonë, por edhe gjithë rajonit. Takimi mes dy shteteve tona ishte takim ndërmjet të barabartëve”, tha Atifete Jahjaga.

Nga ana e tij, Tomislav Nikoliç deklaroi pas takimit me “përfaqësuesen e institucioneve të përkohshme”, siç e quajti ai, se Beogradi nuk do ta njohë kurrë Pavarësinë e Kosovës dhe shtoi se takimet në të ardhmen do të ndodhin, vetëm nëse do të ketë tema të përbashkëta me qëndrime të ngjashme.

Për çështjen e veriut, që përbën temën kryesore të takimeve në javët e ardhshme, të cilësuara kritike nga Baronesha Ashton, presidentja e Kosovës premtoi se nuk do të cënohet integriteti territorial dhe Kushtetuta e Kosovës.

“Ju me keni dëgjuar vetëm të ritheksoj këtë çështje, që veriu nuk egziston si çështje, asnjëherë nuk ka egzistuar dhe nuk do të egzistojë në të ardhmen. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran dhe ka integritetin e plotë territorial”, tha Jahjaga.

Dialogu i radhës mes kryeministrave Thaçi-Daçiç, për çështjen e veriut të Kosovës, pritet të mbahet më 22 shkurt, në Bruksel. (Përgatiti: A.TOZAJ)

Nishani: Takimi, hap i rëndësishëm

Ndërkohë, takimi është përshëndetur nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili tha se ngjarja përbën një hap të rëndësishëm për të ardhmen e dy vendeve.

“Takimi mes dy presidentëve, të Kosovës dhe Serbisë, është një hap i rëndësishëm. Ai është një mesazh i fuqishëm në mbështetje të një dialogu konstruktiv dhe do t’i shërbejë normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka vlerësuar Nishani.

Van Rompuy: Dialogu, i rëndësishëm

Gjatë së mërkurës, edhe zyrtarë të shumtë të Bashkimit Evropian shprehën mbështetjen e tyre për takimin Jahjaga-Nikoliç, mes të cilëve edhe vetë presidenti Herman Van Rompuy.

“Dialogu është në funksion të frymës evropiane për të tejkaluar problemet e së kaluarës dhe për t’iu ofruar perspektivë të gjithë qytetarëve”, tha Van Rompuy.

Takimi i sotëm do të pasohet nga ai që do të zhvillohet më vonë gjatë muajit mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, që do të jetë i pesti.

Top Channel