
Akademia politike e Partisë Socialiste, krijuar 3 vjet më parë, vijon të tërheqë interesin e qindra aplikantëve që kërkojnë ta ndjekin. Me mbështetjen e Fondacioni “Fridrich Ebert”, këtë vit në Akademinë Politike do të futen 400 studentë nga rreth 1000 aplikime të ardhura këtë vit.
Deputeti Saimir Tahiri, që është Drejtor i Fondacionit Qemal Stafa, organizues i Akademisë Politike të Partisë Socialiste, tha se është suprizues numri në rritje i të rinjve që duan të jenë studentë të Akademisë Politike të Partisë Socialiste.
Ndërsa Edi Rama i ka ftuar studentët e kësaj Akademie të bëhen jo thjesht pjesë e fushatës së kësaj partie për zgjedhjet e 23 qershorit, por edhe zëdhënës të programit për një Rilindje Shqiptare.
Të rinjtë e këtij vëndi theksoi Rama duke përdorur politikën, kanë mundësinë të përçojnë rreth e rrotull zërin e një ndryshimi të nevojshëm.
“Ne duhet të fitojmë së bashku, në 23 qershor duhet të fitojë secili nga ju, duhet të ndjehet fitimtar secili nga ju, duhet të festojë fitoren secili nga ju, jo thjesht si kontributor në një fushatë, por si kontributor në rrugën e një Rilindje Shqiptare, e cila vetëm sa fillon ditën kur mbaron fushata, vetëm sa nis ditën kur përfundon numërimi i votave, vetëm sa hapet përpara nesh si një horizont sfidash dhe mundësish ditën kur mbyllet gjithë ky proces”, tha Rama.
Për kryetarin e PS fitorja në zgjedhjet e qershorit është e padiskutueshme, por ajo duhet të konsiderohet vetëm si fillimi i një rruge për ringritjen e vendit.
Top Channel