Në qytetin pakistanez, ku Osama bin Laden u gjet dhe u vra nga forcat speciale amerikane, është duke u ndërtuar një park zbavitës, në përpjekje për të nxitur turizmin.
Parku nuk ka asnjë lidhje me ish-udhëheqësin e al-Qaeda-s, i cili u zbulua se jetonte në një bodrum në Abbottabad, gjatë vitit 2011.
Përkundrazi, ai do të ketë në kopësht zoologjik, infrastrukturën e duhur për sportet e ujit, mini-golfin, ngjitjen nëpër shkëmbinj dhe “paragliding”, një lloj sporti ku një tendë e gjerë, që i ngjan parashutës, i bashkangjitet trupit të njeriut të lidhur, gjë që e lejon atë të lëvizë drejt një destinacioni tjetër.
Zyrtarët e provincës Khyber Pakhtunkhwa thonë se parku do të kushtojë rreth 30 milionë dollarë dhe do të kërkojë rreth 5 vite për t’u ndërtuar.
“Qyteti zbavitës do të ndërtohet në hapësirën prej 20 hektarësh, gjatë fazës së parë, por më vonë do të zgjerohet në 200 hektarë”, tha Syed Aqil Shah, ministri i Turizmit i kësaj province, për agjencinë e lajmeve AFP.
Bodrumi, ku Bin Laden jetonte në Abbottabad, është shkatërruar tashmë dhe në atë vend do të nisin punimet për parkun zbavitës.
“Ky projekt nuk ka të bëjë fare me Osama bin Laden”, tha Shah, i cili shtoi: “Po punojmë për të promovuar turizmin dhe ambjente dëfryese”.
Abbottabad, i ndodhur në ultësirën e Himalajeve, rreth 120 km në veri të Islamabadit, ishte një qytet-garnizon anonim ushtarak, përpara se të vihej në qendër të vëmendjes ndërkombëtare në 2011-n.
Top Channel