PS reagon për taksën e sheshtë

04/02/2013 00:00

Partia Socialiste akuzoi kryeministrin se gënjen kur mbron taksën e sheshtë. Ilir Beqja tha se si rrjedhojë e taksës së sheshtë, borxhi publik sa vjen dhe rritet.

“Kryeministri Berisha tha se falë taksës së sheshtë kush fiton më shumë, paguan më shumë. Kjo është gënjeshtër. Sot, si rezultat i taksës së sheshtë mësuesit dhe shtresa e mesme paguajnë taksa më të rënda se tetë vjet më parë, ndërkohë që paratë që mbeten nuk mjaftojnë për të përballuar jetesën. Sot, edhe si rezultat i taksës së sheshtë, borxhi publik vijon të rritet. Kur Saliu thotë se borxhi i rrezikshëm është niveli 95 % i GDP gënjen”, deklaroi Beqja.

Ai theksoi se, taksimi i ndershëm që propozon PS do të ulë taksat për 95% të familjeve shqiptare dhe do të bëjë të mundur që paga neto të jetë më e madhe se sa është sot.

Eksperti socialist i ekonomisë tha gjithashtu se qeveria nuk e lufton korrupsionin dhe evazionin, sikundër deklaron kryeministri, pasi sot më shumë se kurrë Shqipëria gjendet e zhytur në korrupsion.

“Shqipëria ka raportin me të keq të borxhit publik me të ardhurat tatimore, pra të aftësisë për të gjeneruar të ardhura që të mund të shlyhet borxhi. Gënjen sepse do të fshehë dështimin në mbledhjen e të ardhurave në vitin 2012”, shtoi Beqja.

Top Channel