Mali, beteja për Kidalin

04/02/2013 00:00

Avionët luftarakë francezë bombarduan bazat e rebelëve në veri të Malit, në një përpjekje për t’u ndërprerë atyre të gjitha rrugët e furnizimit, qoftë me armatime qoftë ushqimore.

Raportohet se trupat franceze po përgatiten për mësymjen e fundit, atë për të rimarrë nën kontroll Kidalin, qyteti i fundit që ndodhet nën kontrollin e rebelëve islamikë, që brenda 3-javësh janë tërhequr nga të gjitha territoret që morën nën kontroll vitin e kaluar.

30 avionë luftarakë francezë shënjestruan bazat ushtarake dhe telekomunikacionet e rebelëve në afërsi të Kidalit, në kufi me Algjerinë. Presidenti francez, Hollande gjatë vizitës disa-orëshe në fundjavë në vendin e Afrikës Perëndimore, premtoi që Parisi vec ndihmës ushtarake, do të ndihmojë edhe në rindërtimin e Malit.

Franca rimori nën kontroll pa rezistencë territoret në veri të vendit, por shumë i druhen frikës së grupet rebele mund të rigrumbullohen në zonat malore të Kidalit, duke nisur ndoshta një luftë guerrile që mund të zgjasë për vite me radhë.

Pikërisht në këto zona mbahen peng disa qytetarë francezë të rrëmbyer në Mali dhe vende të tjera të rajonit. Vetë qeveria maliane u ka ofruar bisedime rebelëve tuaregë për t’i dhënë fund konfliktit. Këta të fundit u rreshtuan me grupet ekstremiste islamike gjatë vitit të kaluar në përpjekje për të shpallur shtetin e tyre në veri, por aleanca me ekstremistët u prish shpejt.

Top Channel