Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga pritet të udhëtojë për në Bruksel, ku më 6 shkurt do të takohet me homologun serb, Tomisllav Nikoliq. Ky do të jetë takimi i parë i një formati të tillë prej kur Kosova shpalli pavarësinë në shkurtin e 2008-ës.

I pyetur nëse Presidentja e Kosovës, e cila është zgjedhur nga Kuvendi duhet të raportojë në këtë institucion për këtë takim, kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi ka thënë se kompetencat e secilit janë të përcaktuara me Kushtetutë duke mos komentuar më shumë.
 
“Shikoni këto çështje i përcakton Kushtetuta dhe i ndan Kushtetuta e Republikës, aty ku flitet për presidentin dhe shikoni kompetencat e Presidentit janë të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha zoti Krasniqi.
 
Në anën tjetër, në lidhje me atë nëse duhet që në Kuvend të Kosovës të ratifikohen marrëveshjet e arritura në dialog me Serbinë, në partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje, kanë thënë se kjo duhet të ndodhë.
 
“Ju e dini që pjesa më e rëndësishme për mendimin tonë e rezolutës është pjesa për ratifikimin e marrëveshjeve dhe sigurisht ky është obligim edhe që del nga rezoluta dhe është obligim i Qeverisë së Thaçit që kur të përfundojnë ose kur të përgatiten të dalin në votim për ratifikim në Kuvendin e Kosovës”, deklaron Ismet Beqiri, kreu i Grupit Parlamentar të LDK-së.

“Kjo është një çështje që duhet të diskutohet dhe ne mendojmë që domosdoshmërish ato marrëveshje që konsiderohen ndërkombëtare, sepse edhe ligji edhe Kushtetuta e Kosovës parasheh obligimin. Pra, të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare duhet të ratifikohen. Me këtë mos ratifikim, Thaçi po i thotë dy gjëra të mundshme, ose po thotë se unë do ta shkeli ligjin për ratifikimin, ose  po u thotë të tjerëve se këto marrëveshje nuk janë ndërkombëtare”, shton Visar Ymeri, kreu i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

Këto komente u bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ku u vendos që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet më 7 shkurt.

Top Channel