Alabama, vritet pengmarrësi, shpëton 6-vjeçari

04/02/2013 23:45

Policia, në shtetin e Alabamas, ka qëlluar dhe vrarë pengmarrësin, duke shpëtuar një djalë 5-vjeçar, të rrëmbyer prej tij, që mbahej në një bunker prej 6 ditësh.

Agjenti i FBI-së, Steve Richardson, tha në një konferencë për shtyp se Jimmy Lee Dykes, 65 vjeç, u vra pas dështimit të negociatave.

Ai mbante peng djaloshin Ethan, në një strehë të krijuar nga stuhia, që prej të martës së kaluar, pasi e kishte rrëmbyer nga autobusi i shkollës, duke vrarë shoferin e tij. Funerali i shoferit 66-vjeçar të autobusit u mbajt të dielën.

Daryle Hendry, i cili jeton vetëm pak metra larg bunkerit, tha për Associated Press se kishte dëgjuar të shtëna gjatë pasdites së ditës së hënë.

Richardson tha se negociatat mes zyrtarëve dhe Dykes u përkeqësuan gjatë 24 orëve të fundit dhe se pengmarrësi ishte në zotërim të një arme.

Duke patur frikë se djali ishte në një situatë të rrezikshme, zyrtarët e policisë bastisën bunkerin në 22:12, tha ai.

Incidenti nisi në Midland City pasditen e së martës, kur shoferi i autobusit refuzoi të zbriste djaloshin, të cilin Dykes duket se e rrëmbeu në mënyrë rastësore.

Sipas dëshmitarëve, pengmarrësi u ngjit në autobus, kur shoferi ndaloi për të lënë të lirë dy fëmijë të tjerë. Dykes mbërtheu derën, në mënyrë që të mos mbyllej, hyri në autobus dhe kërkoi dy djem të moshës 6 dhe 8 vjeç.

Kur shoferi i autobusit, Charles Albert Poland, bllokoi hyrjen e autobusit me krahë, dëshmitarë thanë se Dykes qëlloi 4 herë, duke e vrarë atë.

Top Channel