Të gjitha tekstet e sistemit arsimor nëntëvjeçar do të ndryshojnë tërësisht. Eskpertët e arsimit kanë vërejtur se shumë lëndë si matematika, gjuha shqipe, por edhe fizika e kimia, kanë patur jo vetëm ngarkesa të panevojshme, por edhe përsëritje dhe pasaktësi.

E gjithë kjo ka sjellë mbingarkesë të madhe tek nxënësit, të cilët në jo pak raste kanë gjetur si zgjidhje kurset private. Drejtoresha e kurrikulave, Tidita Avduramani, sqaron se prej dy vitesh po punohet për ndryshimin e programit: “Nga vlerësimet e jashtme ka rezultuar se ngarkesa është konceptuale dhe jo fizike (në numër orësh). Ka përsëritje konceptesh dhe kjo është evituar.”

Por cilat janë ndryshimet kryesore që do të pësoje kurrikula e sistemit 9-vjeçar, duke iu përshtatur atyre të vendeve të Bashkimit Europian. Avduramani shpjegon: “Fëmijët marrin njohuritë e para bazë mbi shkencat natyrore dhe të gjitha do të vijnë si një libër i vetëm me fletë pune. Kjo eviton pasjen e shumë programeve dhe librave.”

Mësuesit kanë evidentuar se në disa tekste të lëndëve të matematikës jepen ekuacione që kanë shkallë vështirësie të madhe e që duhet të mësohen në shkollë të mesme.

Ramazan Fejzo, drejtori i Shkollës së Kuqe, thekson: “Në matematikë ka mbivendosje temash dhe kjo duhet të lehtësohet. Ka patur gjithashtu edhe tema që në Europë trajtohen në gjimnaz, ndërsa ne i bënim në klasë të tetë.”
Drejtoresha e kurrikulës sqaroi se po punohet edhe për përafrimin e programeve të teksteve të Kosovës me Shqipërinë. Për çdo tekst do të ketë alternativa në kuadër të reformës së alterteksit.

Top Channel