Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndikuar që në rrugët e veriut të Kosovës të ketë liri të lëvizjes, pavarësisht arritjes së disa marrëveshjeve ndërmjet palëve.

Kështu vlerësojnë në grupin për Studime Juridike dhe Politike, ku u publikua një raport për mungesën e lirisë së lëvizjes në këtë pjesë të Kosovës, ku rrugët vazhdojnë të mbahen të barrikaduara.

Sipas këtij grupi, edhe marrëveshjet e arritura në Bruksel në dialogun Kosovë-Serbi nuk mund të zbatohen pa u ndryshuar kjo gjende.

”Mungesa e lirisë së lëvizjes është pika fillestare, është pika bazike mbi të cilën do të mund të mendohej zgjidhja e situatës së veriut. Pa u adresuar çështja e veriut të Kosovës, nuk mund të bëhen më hapa të tjerë sepse do të kemi sërisht situatë ku arrihet marrëveshje Kosovë-Serbi, por për shkak të situatës në terren ato do të mbesin të pazbatuara, ndërsa Serbia, në një mënyrë apo një tjetër kontrollon “status quo”-në në veri”, deklaroi Fisnik Korenica, i grupit për studime juridike dhe politike.

Aty kritikohet misioni europian, “EULEX”, që sipas raportit ka neglizhuar në mënyrë të vazhdueshme ushtrimin e mandatit të tyre, si dhe KFOR-i, i cili, siç thuhet, ka lejuar që problemi i lirisë së lëvizjes të shëndërrohet në problem politik, duke vepruar kështu në kundërshtim me mandatin e tij në Kosovë.

Rekomandohet që Qeveria e Kosovës të kushtëzoj vazhdimin e dialogut me Serbinë me garantimin e lirisë së lëvizjes nga ana e KFOR-it dhe EULEX-it dhe në bashkëveprim me misionin europian të vendosin Gjykatat, Prokuroritë dhe stacionet policore.

Top Channel