Durrës, arrestohet në port trafikanti

03/02/2013 11:35

Një 30-vjeçar u arrestua mëngjesin e së dielës në portin e Durrësit, i kapur në flagrancë duke tentuar të kalonte për në Itali 56 kilogramë kanabis.

Burime policore informuan se Elvir Haxhia, nga qyteti i Shkodrës, kishte ndarë drogën në 186 pako, të cilat ishin fshehur në makinën që ai drejtonte.

Haxhia u zbulua ndërsa tentonte të imbarkohej në bordin e një trageti.

Njëkohësisht, policia informoi se ka shpallur edhe dy persona të tjerë në kërkim, bashkëpunëtorë të dyshuar të Haxhias.

Në cilësinë e provës materiale, gjithashtu u sekuestruan 110 euro, 3 celularë dhe vetë automjeti transportues.

Në analizën vjetore të Policisë së Shtetit, më parë gjatë javës, u pranua zyrtarisht se ka një rritje të rasteve dhe sasise se trafikut të narkotikëve të lehtë si hashashi dhe marijuana në vendin tonë.

Në rastet më të bujshme të 2013-s, një tonë hashash u sekuestruan në Velipojë, në 24 janar, ndërsa disa ditë më pas, një 38-vjeçar tentoi të përdorte gruan e tij shtatzanë dhe dy vajza të moshës 6 dhe 3-vjeçare, për të transportuar drogë në Itali.

Top Channel