Bashar Al Assad akuzon Izraelin

03/02/2013 18:10

Bashar Al Assad akuzoi Izraelin se po përpiqet të destabilizojë vendin e tij. Ky është reagimi i presidentit të Sirisë, pas sulmit ajror izraelit të mërkurën, në territorin e vendit të tij.

Gjatë takimit me sekretarin për Sigurinë Kombëtare të Iranit, Saeed Xhalili, në Damask, Assad tha se “duke demaskuar rolin e vërtetë që luan, Izraeli zbulon se është ai shkak i destabilizimit dhe dobësimit të Sirisë”.

Ai shtoi se “ushtria siriane është në gjendje t’i bëjë ballë kërcënimeve të tilla apo çdo lloj agresioni”.

Televizioni shtetëror “Al Ikbarija” shfaqi pamjet e pasojave të sulmit ajror në Xhamraja (Jamraya), në veri-lindje të Damaskut; ndërtesa dhe makina të shkrumbuara nga flakët, por edhe dëshmi nga të plagosurit. Dy persona humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën gjatë ofensivës ajrore.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, të dielën, në konferencën për sigurinë në Gjermani, la të kuptohet se vendi i tij ishte përgjegjës për sulmin. “Goditja ishte prova, që çfarë themi e bëjmë” tha ai. Ne nuk mendojmë se Siria duhet të lejohet të dërgojë sisteme të avancuara armatimesh në Liban”.

Izraeli ka paralajmëruar vazhdimisht se armët kimike siriane mund të bien në duart e Hezbollahut. Zyrtarët amerikanë thanë se në shënjestër të ofensivës ajrore izraelite ishte një karvan kamionësh, që transportonin armë, destinacioni i të cilëve ishte grupi Hezbollah në Liban.

Shtëpia e Bardhë paralajmëroi Sirinë të ndalojë transportime të tilla, me destinacion grupin shiit. Zhvillimet e fundit vijnë, kur konflikti në Siri ka hyrë në muajin e 23-të dhe numëron mbi 60 mijë të vrarë.

Top Channel