Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, kërkon hapësirë të nevojshme në qeveri për partinë e tij, Aleancën Kosova e Re, në rast se partneri aktual në qeveri, partia e kryeministrit Hashim Thaçi, PDK, arrin një marrëveshje për bashkëqeverisje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Zoti Pacolli nuk ka dhënë sqarime më shumë, por sipas tij përfshirja e mundshme e AAK-së në koalicion nuk përbën ndonjë problem.

“Ne nuk jemi alergjik ndaj askujt. Absolutisht jo, të gjithë janë kosovarë, i respektojmë, i duam. Apriori jam njeri i cili ka vlerësimë për njerëzit, janë miq të mi. Qofshin të partisë së Haradinajt, ose të PDK-së. Ne do të shikojmë, nëse hapësira do të jetë ajo që ne mendojmë, atëherë s’ka problem. Ne qëndrojmë aty, nëse nuk ka hapësirë ne ua lëshojmë hapësirën”, ka thënë Pacolli.

Më tej, Pacolli ka shtuar se ai nuk është pjesë e bisedave eventuale ndërmjet PDK-së dhe AAK-së dhe se do të vazhdojë të punojë në kuadër të koalicionit aktual derisa t’i mundësohet një gjë e tillë.

“Nuk jemi duke u preokupuar me këtë punë. Ne do të punojmë deri në momentin kur ne na lejojnë të punojmë. Në momentin kur dikush mendon se nuk duhet të jemi aty, ne ikim dhe vazhdojmë punën për t’i kontribouar qytetarit të Kosovës. Dhe mënyra ka shumë”, ka theksuar Pacolli.

Sidoqoftë, mbetet të shihet gjatë javës së ardhshme nëse do të zgjerohet koalicioni aktual qeverisës. Të premten, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj u shpreh se është duke e ruajtur një dozë optimizmi, megjithëse sipas tij nuk ka sinjale se çështja do të mbyllet pozitivisht.

Top Channel