Krisja Putin-Medvedev?!

02/02/2013 01:18

Pamjet e fundit filmike apo videot online kanë forcuar dyshimet e thellimit të hendekut mes dy liderëve, dikur të pandashëm, të Rusisë, kryeministrit Dmitry Medvedev dhe presidentit Vladimir Putin.

Të enjten, Putin u shfaq i bezdisur e vazhdimisht nënqeshte, në kohën kur Medvedev po shpjegonte vizionin e tij pesëvjeçar për zhvillimin ekonomik të Rusisë.

Kreu i ekzekutivit, nga ana tjetër, ngrinte vetullat e shtrembëronte buzët gjatë vërejtjeve të shefit të Kremlinit. Në fillim të javës, një video në internet e përshkruante Medvedev-in si “tradhëtar” të Rusisë në arenën ndërkombëtare.

Video duket se ishte prodhuar nga profesionistë. Në mënyrë të veçantë, ajo e fshikullonte kryeministrin për faktin se kishte lejuar miratimin e rezolutave të OKB-së, që çuan në përmbysjen dhe vrasjen e liderit libian, Muamar Gadafi, një prej klientëve kryesorë të Rusisë në marrëveshjet e naftës dhe shitjes së armëve.

Sipas Maria Lipman, analiste pranë Carnegie Moscow Centre, Putin është tepër i fuqishëm për të debatuar me Medvedev-in, pasi ka qenë gjithmonë ai, që e ka thënë fjalën e fundit.

“Është e kotë të themi se ka sherre mes tyre, vetëm për faktin se kanë statuse krejtësisht të ndryshme. Edhe kur Medvedev ishte president i vendit dhe Putin kryeministër, të gjithë e dinë se ishte ky i fundit, njeriu që merrte vendimet. Ai kishte shumë më tepër pushtet, qoftë edhe informal. Tani që Putin është rikthyer në poltronën presidenciale, dallimet mes tyre në drejtim të influencës politike apo edhe nivelit të pushtetit që kanë, është kaq e madhe, saqë nuk mund të flitet për grindje”, tha Maria Lipman.

Medvedev, sipas saj, ka qenë më shumë se një herë objekt talljesh këto kohët e fundit.

“Ai duket më i dobët. Elitat ruse dhe ata që vëzhgojnë situatën në vend, bashkë me mediat dhe ekspertët politikë, qeshin me të. Është kthyer në atë lloj personi, të cilin shumë veta duket se nuk e marrin seriozisht”, shtoi Lipman.

Qq nga momenti kur i dorëzoi Presidencën Putin-it, vitin e kaluar, shumë pyetje kanë rrethuar të ardhmen e Medvedev. Sipas ekspertëve, video, e dyta në 6 muaj, trazirat në qeveri, me shkarkimin e ministrit të tij të mbrojtjes, për shkak të një skandali korrupsioni, dhe vështirësitë ekonomike të vendit, të gjitha po ndikojnë në dobësimin e Medvedev.

“Megjithatë këto janë thjesht fjalë”, thotë Maria Lipman. “Të vërtetën e marrëdhënieve mes dy liderëve do ta mësojmë vetëm kur të vendosë Putin”.

Top Channel