Hollande: Ndihmë në rindërtimin e Malit

02/02/2013 20:55

Presidenti francez Francois Hollande ka deklaruar se qeveria e tij do të ndihmojë në rindërtimin e Malit, tre javë pas nisjes së ofensivës kundër rebelëve islamikë që kishin marrë nën kontroll veriun e vendit.

Duke folur në kryeqytetin Bamako, Hollande bëri thirrje për më shumë ndihma për ish-koloninë franceze dhe për restaurimin e objekteve kulturore të dëmtuara nga rebelët.

Zoti Hollande tha se Franca do të vazhdojë ta ndihmojë Malin në rivendosjen e kontrollit në veri të vendit. “Grupet terroriste janë dobësuar, por nuk janë eleminuar”, tha ai.

Duke premtuar se trupat franceze do të qëndrojnë në Mali për aq kohë sa të jetë e nevojshme, presidenti shtoi se, Franca do t’ua dorëzojë kompetencat e sigurisë trupave afrikane sapo sovraniteti të jetë rivendosur.

Zoti Hollande i bëri deklaratat e tij teksa shoqërohej nga lideri i përkohshëm i Malit, Dioncounda Tarore, i cili falenderoi Francën për çlirimin e veriut nga “barbarizmi dhe errësira”.

Presidenti premtoi gjithashtu angazhimin për restaurimin e objekteve kulturore të dëmtuara nga rebelët, të cilët i vunë flakën 2 mijë dorëshkrimeve antike në Timbuktu, që ishin pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s. “Ne nuk mund ta tolerojmë atë që ndodhi”, tha ai.

Më herët gjatë ditës zoti Hollande udhëtoi në qytetin verior, që u rimor nën kontrollin e trupave franko-maleze gjashtë ditë më parë. Mijëra banorë e pritën atë me brohoritjet “Rroftë Franca”.

Top Channel