Rikthehet Stalingradi

01/02/2013 23:30

Që sot e tutje, Volgogradi do të rimarrë, për pak ditë në vit, emrin e vjetër të kohës së Luftës së Dytë Botërore: Stalingrad. E para e këtyre ditëve shërben për të nderuar këdo, që mori pjesë në betejën e famshme, që e ktheu luftën në favor të aleatëve.

Një vendim i çuditshëm por që, me sa duket, ka gjetur mbështetje të gjerë. Autoritetet e Volgogradit e miratuan rikthikimin e emrit të vjetër në eventet kremtuese të 70-vjetorit të betejës 200 ditore. Madje, në një lëvizje të pasanksionuar nga zyrtarët, admiruesit kanë ndërmend të vendosin nëpër furgonë edhe fotografi të ish-diktatorit sovjetik, për të theksuar rolin e tij në mposhtjen e Gjermanisë naziste.

Vendimi i Këshillit Bashkiak synon të kënaqë veteranët e luftës, por ka pak gjasa të jetë marrë pa pëlqimin e presidentit Vladimir Putin, i cili pritet të jetë i pranishëm në festimet jubilare të kësaj qendre industriale prej 1 milionë banorësh, në brigjet e lumit Volga.

Pavarësisht miliona vdekjeve dhe vrasjes së kundërshtarëve politikë, për Josif Stalinin ka plot shenja nostalgjie.

“Nuk e justifikoj absolutisht represionin e tij”, – tha një veteran 92-vjeçar lufte për “Reuters”. – “Por, duam apo s’duam ne, ka bërë dhe gjëra të mira e duhet t’i pranojmë”.

Beteja e Stalingradit njihet si më e përgjakshmja e Luftës së Dytë Botërore. Nga mesi i nëntorit 1942, ushtria sovjektike nisi një operacion të guximshëm për të rrethuar armatën e gjashtë të Wehrmachtit.

Friederik Paulus e nënvlerësoi sulmin dhe lejoi kurthin të mbyllej. Përgjatë dy muajsh e gjysmë, mijëra trupa elitë gjermanë vdiqën, sa nga plumbat sovjetikë, sa nga uria, sëmundjet dhe i ftohti, me temperaturat që zbrisnin deri në minus 40 gradë celsius.

Deri në dorëzimin e tyre, shkurtin e vitit 1943, kishin humbur jetën 200 mijë ushtarë gjermanë dhe 485 mijë rusë. Pas kësaj, ushtria e kuqe avancoi pa u tërhequr deri në Bërlin.

Të mbijetuarit thonë se kanë shumë histori për të treguar dhe se janë të kënaqur t’i ndajnë eksperiencat e tyre me të rinjtë.

“Për ne veteranët, të gjitha këto evente janë të rëndësishme. Gjithë çfare ndodhi gjatë luftimeve, e sidomos në betejën e Stalingradit, ne duam t’ia përcjellim brezave të rinj, sepse ata janë e ardhmja e këtij vendi, por duhet t’i dinë të vërtetat e Luftës së Dytë Botërore”, tha kolonel Anatoliy Zheleznov, veteran i betejës së Stalingradit.

Në këtë rajon jetojnë rreth 920 veteranë të betejës së Stalingradit. Ata, jo vetëm e lavdërojnë lidershipin e Stalinit në kohën e luftës, por i kanë kërkuar presidentit Putin t’i rikthejë përfundimisht qytetit emrin e vjetër, në mënyrë që të mbahen gjallë kujtimet e përballjes së madhe.

Top Channel